Jo vetëm bomba! Irani: Izraeli ka nisur luftë kibernetike ndaj nesh

Nga A2 CNN
17 Qershor 2025, 20:10 | Bota

Jo vetëm bomba! Irani: Izraeli ka nisur luftë kibernetike ndaj nesh

Komanda e Sigurisë Kibernetike e Iranit ka deklaruar se Izraeli ka ndërmarrë një “luftë të gjerë kibernetike” ndaj infrastrukturës digjitale të vendit, me qëllim ndërprerjen e shërbimeve ndaj qytetarëve. Lajmi është raportuar nga agjencia shtetërore iraniane IRIB.

Sipas raportit, autoritetet iraniane kanë marrë masa për të zmbrapsur këtë fushatë sulmesh, duke pretenduar se “shumica e sulmeve janë zmbrapsur me sukses”. Masat mbrojtëse janë ndërmarrë për të penguar penetrimin e rrjeteve kibernetike iraniane nga ana e Izraelit dhe për të ndaluar përdorimin e infrastrukturës për operacione kibernetike apo ushtarake, shkruan A2 CNN.

Në një incident të veçantë, agjencia gjysmëzyrtare FARS raportoi se një sulm kibernetik ka ndërprerë funksionimin e disa shërbimeve në Bankën Sepah të Iranit. Një grup hakerash që pretendohet se është i lidhur me Izraelin mori përgjegjësinë për sulmin, duke deklaruar se kishin “shkatërruar të gjitha të dhënat e Bankës Sepah”.

Tensionet në hapësirën kibernetike mes dy vendeve janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit, në një periudhë të karakterizuar edhe nga përshkallëzimi i konflikteve në Lindjen e Mesme. Përplasjet digjitale mes Iranit dhe Izraelit janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara dhe të shpeshta, duke ngritur shqetësime për sigurinë rajonale dhe ndikimin tek qytetarët e thjeshtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos