Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është bërë sërish kryefjalë në rrjetet sociale pas një momenti të papritur gjatë samitit të G7-ës në Alberta, Kanada. Gjatë një takimi rreth tryezës me liderët botërorë, Meloni u kap nga kamerat duke bërë një rrotullim të syve që po komentohet gjerësisht si një shprehje ironike apo pakënaqësi ndaj Presidentit francez Emmanuel Macron.
Në video, Meloni shihet duke u afruar për të dëgjuar Macron-in, i cili mban dorën pranë gojës ndërsa i pëshpërit diçka në vesh. Pasi e dëgjon, Meloni bën një mimikë të qartë: një rrotullim të syve që flet më shumë sesa fjalët, shkruan A2 CNN. Edhe pse nuk është bërë e ditur se çfarë saktësisht i tha Macron, momenti nuk ka kaluar pa u vënë re nga publiku online.
Përdorues të shumtë në platformën X (ish-Twitter) kanë komentuar mbi situatën: “Samiti i G7 ka nisur mrekullisht. Meloni është e mrekullueshme, nuk di të fshehë përbuzjen ndaj elitës globaliste,” shkroi një komentues. “Tani, çfarë mendoni se i tha Macron Melonit? Ai është një thashethemexhi i vërtetë”, shkroi një tjetër. “Eja na trego të vërtetën. Çfarë i the Melonit që i nxori atë shikim të artë?”, ishte një tjetër koment ironik.
Për momentin mbetet një mister se çfarë u tha mes dy liderëve, por mimika e Melonit thotë shumë më tepër sesa një deklaratë zyrtare. (A2 Televizion)