Jo vetëm energjia, si lufta në Iran rrezikon të shkaktojë krizë globale ushqimore

Nga A2 CNN
18 Mars 2026, 16:59 | Bota

Jo vetëm energjia, si lufta në Iran rrezikon të shkaktojë

Lufta në Iran po shkon përtej ndikimit në tregjet e energjisë, duke krijuar rrezik serioz për sigurinë ushqimore globale për shkak të mungesës së plehrave kimike.

Shkaku kryesor lidhet me bllokimin e Ngushtica e Hormuzit, një rrugë strategjike nga ku kalon rreth 20% e naftës dhe gazit në botë. Kjo ka rritur çmimet e energjisë dhe ka ndërprerë zinxhirin e furnizimit për prodhimin e plehrave.

Mungesa e plehrave po krijohet pasi një pjesë e madhe e uresë dhe produkteve të tjera prodhohen në vendet e Gjirit dhe transportohen përmes kësaj ngushtice, shkruan Aljazeera.

Ndërprerjet në furnizimin me gaz kanë detyruar fabrika në rajon dhe më gjerë të ulin ose ndalin prodhimin. Në Katar është pezulluar prodhimi në një nga impiantet më të mëdha në botë, ndërsa India dhe Bangladesh kanë reduktuar ndjeshëm kapacitetet.

Rreth 20% e plehrave globale prodhohen në vendet e Gjirit dhe afro gjysma e furnizimit me ure vjen prej andej. Nëse situata vazhdon, deri në një e treta e tregtisë globale të plehrave mund të ndërpritet.

Vendet më të prekura janë ato që varen nga importet, si India, Brazili dhe Kina, të cilat janë edhe ndër prodhuesit më të mëdhenj të ushqimit në botë.

Situata bëhet më kritike pasi kjo krizë po ndodh në kulmin e sezonit të mbjelljeve pranverore. Plehrat janë thelbësore për prodhimin bujqësor dhe mungesa e tyre pritet të ulë rendimentin e kulturave.

Si pasojë, një mungesë e zgjatur mund të çojë në ulje të prodhimit të ushqimeve bazë, rritje të çmimeve dhe mungesa në tregjet ndërkombëtare, duke rrezikuar një krizë të re ushqimore në nivel global. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos