Joe Biden nuk është duke marrë mjekim për sëmundjen e Parkinsonit.
Kjo është ajo që deklaroi të hënën Shtëpia e Bardhë, pas përhapjes së lajmit se një mjek specialist e kishte vizituar presidentin amerikan disa herë gjatë vitit të kaluar.
Shqetësimet rreth shëndetit të presidentit janë rritur që nga performanca e dobët e Biden në debatin e tij me Donald Trump.
Sipas The New York Times, regjistrat e vizitorëve të Shtëpisë së Bardhë tregojnë se Dr. Kevin Cannard, neurolog i specializuar në çrregullimet e lëvizjes që së fundmi ka botuar një punim mbi Parkinsonin, vizitoi Shtëpinë e Bardhë tetë herë nga vera e kaluar deri në pranverën e këtij viti.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha të hënën se Biden nuk po trajtohet për sëmundjen e Parkinsonit.
Ajo nuk pranoi të konfirmojë vizitën e Dr. Cannard, duke përmendur arsyet e privatësisë. Por ajo tha se presidenti ishte vizituar nga një neurolog tre herë në vazhdën e ekzaminimeve të tij fizike, vjetore.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates shtoi: "Një numër i madh specialistësh nga sistemi Walter Reed vizitojnë kompleksin e Shtëpisë së Bardhë për të trajtuar mijëra personel ushtarak që punojnë në terren."
(A2 Televizion)