Mijëra protestues nga Gjeorgjia dolën në rrugët e Tbilisit për të protestuar, pasi Presidentja e vendit, Salome Zurabishvili, akuzoi partinë në pushtet se përdori taktika të stilit rus në zgjedhjet parlamentare, rezultatin zyrtar të të cilave ajo nuk pranon ta njohë.
Protestuesit u mblodhën pranë ndërtesës kryesore të Parlamentit në qendër të Tbilisit, ndërkohë që kritikat janë duke u rritur për parregullsi në zgjedhjet e fundjavës. Qeveria e vendit dhe komisioni zgjedhor kanë thënë se votimi ka qenë i lirë dhe i drejtë, ndërsa vëzhguesit e zgjedhjeve kanë thënë se ka pasur shkelje të konsiderueshme.
Sipas rezultatit zyrtar të zgjedhjeve të 26 tetorit, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane ka fituar mbi 54 për qind të votave, mjaftueshëm për ta ruajtur pushtetin e plotë.
“Ju nuk i humbët zgjedhjet”, u tha protestuesve Presidentja Salome Zurabishvili. “Ata vodhën votën tuaj dhe u përpoqën ta vjedhin të ardhmen tuaj, por askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë dhe ju nuk do ta lejoni askënd ta bëjë këtë” shtoi ajo. "Propaganda që u përdor përpara zgjedhjeve ishte një dublikim i drejtpërdrejtë, një copy-paste i klipeve dhe videove ruse të përdorura në kohën e zgjedhjes së (presidentit rus Vladimir) Putin", vuri në dukje zyrtarja e lartë e shtetit të Gjeorgjisë.
Zurabishvili pretendoi në një intervistë për Reuters se partia Ëndrra Gjeorgjiane ka lidhje të qarta me Moskën, të cilat, sipas saj, ishin dëshmuar nga mesazhet mbështetëse të Rusisë pas zgjedhjeve dhe pasi Qeveria e miratoi një ligj kontrovers për “ndikimin e huaj”, i cili është i ngjashëm me ligjin rus për “agjentët e huaj”.
Kryeministri hungarez Viktor Orban mbërriti në Gjeorgji pasi përgëzoi partinë në pushtet për fitoren e saj në zgjedhje. Orban, vendi i të cilit mban aktualisht presidencën e Bashkimit Evropian, u fishkëllye kur doli nga hoteli pranë Parlamentit gjeorgjian, ku ishin mbledhur dhjetëra mijëra persona.
Zgjedhjet u karakterizuan nga një “terren i pabarabartë, presion dhe tensione”, sipas një komunikate të përbashkët të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Këshillit të Evropës, Parlamentit Evropian dhe NATO-s. (A2 Televizion)