Marrëveshja për pengjet, Hamasi: Gati për të pranuar propozimin egjiptian

Nga Erjon Dervishi
28 Tetor 2024, 18:42 | Bota

Izraeli dhe Hamasi janë shumë pranë nënshkrimit të një marrëveshje për pengjet. Mediat arabe dhe ato izraelite bëjnë me dije se organizata e Hamasit është e gatshme të pranojë propozimin egjiptian, i cili parashikon lirimin e katër pengjeve në këmbim të një armëpushimi dyditor dhe lirimin e të burgosurve palestinezë. Megjithatë, të njëjtat burime përsëritën se Hamasi synon të arrijë një marrëveshje në përputhje me propozimin e Joe Biden dhe me tërheqjen e plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës. Edhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli po punon për një marrëveshje me Hamasin që do të përfshinte lirimin e "disa" pengjeve për disa ditë armëpushim.

Netanyahu po përballet me një presion nga grupet politike të brendshme për arritjen e një armëpushimi me Hamasin për pengjet. Udhëheqësi i opozitës izraelite Benny Gantz i ka bërë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që të arrijë një marrëveshje që do të lejonte lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi, edhe nëse kjo ka një çmim "të dhimbshëm".

"Është koha më e pjekur se kurrë për të luftuar për një plan të shpejtë për kthimin e pengjeve," tha Gantz në një takim parlamentar të partisë së Unitetit Kombëtar, të cilën ai e drejton. “I bëj thirrje kryeministrit – ashtu siç urdhërove me të drejtë një sulm ndaj Iranit, të bëjë atë që është e drejtë dhe e nevojshme për të sjellë në shtëpi vajzat dhe djemtë tanë, edhe nëse kjo ka një çmim të dhimbshëm – mos hezitoni, sepse do të merrni të plotë mbështetje”, vuri në dukje ai.

Gantz pranoi se luftimet në Gaza do të duhet të vazhdojnë "për vite", por shtoi se ishte e rëndësishme të ktheheshin pengjet. “Pyetja është nëse do të shohim 101 nga vajzat dhe djemtë tanë, të cilët u rrëmbyen për shkak të dështimit më të madh në historinë tonë, gjatë orës suaj”, tha Gantz, duke iu referuar numrit të pengjeve që ende mbahen në Gaza.

Sakaq, mbi 43 mijë palestinezë janë vrarë dhe 101 mijë janë plagosur në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës më 7 tetor të vitit të kaluar. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë e qytetit të Gazës, duke e rritur numrin e të vdekurve në 43,020 dhe të plagosurve në 101,110. Vetëm në 48 orët e fundit, saktësoi ai, 95 palestinezë u vranë dhe 277 u plagosën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos