“Ka dakordësi, por jo marrëveshje”, hija e luftës mbetet e varur mbi Iranin, Hormuzi u mbyll për disa orë

Nga Rosalba Bejdo
18 Shkurt 2026, 12:09 | Bota

Në Gjenevë po diskutohet jo vetëm fati i luftës në Ukrainë, por edhe përplasja SHBA–Iran, e cila, nëse nuk mbyllet me një marrëveshje bërthamore, mund të përshkallëzojë në konflikt ushtarak.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha pas bisedimeve të së martës se Teherani dhe Uashingtoni kishin arritur një mirëkuptim mbi “parimet udhëzuese” kryesore. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk do të thotë se një marrëveshje është e afërt.

“Mund të them se në këtë raund pati diskutime mjaft serioze dhe një atmosferë më konstruktive se në raundin e mëparshëm. U ngritën ide të ndryshme dhe këto ide u diskutuan seriozisht, dhe në fund pati dakordësi të përgjithshme mbi një sërë parimesh udhëzuese, mbi bazën e të cilave do të ecim tutje dhe do të hyjmë në hartimin e tekstit të një marrëveshjeje të mundshme. Kjo nuk do të thotë se mund të arrijmë një marrëveshje shpejt, por të paktën rruga është shtruar”, tha ai, përcjell A2 CNN.

Ndërkohë, një zyrtar amerikan tha se Irani do të bëjë propozime të detajuara gjatë dy javëve të ardhshme për të mbyllur hendekët në bisedimet për programin bërthamor. “Është shënuar progres, por shumë detaje mbeten për t’u diskutuar”, tha zyrtari që refuzoi të identifikohej.

Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr al-Busaidi, vendi i të cilit ndërmjetëson bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit, tha se mbetet ende shumë punë përpara, por se Irani dhe SHBA-ja u larguan me ide të qarta për hapat e ardhshëm.

Teksa zhvilloheshin bisedimet të martën, media shtetërore iraniane tha se vendi do të mbyllte përkohësisht pjesë të Ngushtica e Hormuzit, një itinerar kyç i furnizimit global me naftë, ndërsa Garda Revolucionare iraniane zhvillonte stërvitje ushtarake atje. Më vonë, media shtetërore tha se ngushtica ishte mbyllur për pak orë, por pa sqaruar nëse ishte rihapur plotësisht.

Irani ka kërcënuar në të kaluarën të mbyllë kalimin e rëndësishëm detar në rast se sulmohet, një lëvizje që do të trondiste rëndë tregtinë e naftës dhe do të çonte në rritje të çmimeve.

Duke iu përgjigjur komenteve të Donald Trump se ndryshimi i regjimit në Iran do të ishte gjëja më e mirë, udhëheqësi suprem, Ali Khamenei, paralajmëroi se çdo përpjekje për rrëzimin e qeverisë së tij do të dështonte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos