Presidenti rus Vladimir Putin ka konfirmuar qëndrimin pro një takimi me Presidentin e SHBA-së Donald Trump në një territor neutral.
Shefi i Kremlinit ka zgjedhur Emiratet e Bashkuara Arabe si vendi më i mundshëm për takimin, teksa gjatë deklaratave të tij në Kremlin u shpreh i hapur edhe për takim me Zelenskyn.
"Kemi shumë miq që janë të gatshëm të na ndihmojnë të organizojmë një takim të tillë. Njëri prej tyre është presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe. Mendoj se do të vendosim, por ky mund të jetë një nga vendet e përshtatshme, mjaft të përshtatshme", tha Putin.
Në të njëjtën kohë, presidenti rus tha se nuk kishte problem me mundësinë e një takimi me Zelenskin, por theksoi se kushtet e nevojshme për një takim të tillë "janë ende shumë larg".
"Në përgjithësi, nuk kam asgjë kundër një takimi të tillë. Por që të ndodhë, duhet të krijohen kushtet e përshtatshme dhe për momentin ato nuk ekzistojnë", vuri në dukje ai, duke sugjeruar se tensionet midis Moskës dhe Kievit vazhdojnë të jenë një pengesë serioze për dialogun e drejtpërdrejtë.
Më herët gjatë ditës, ndihmësi i Presidentit rus Yuri Ushakov njoftoi se Moska dhe Uashingtoni kishin rënë dakord të mbanin një samit që përfshinte udhëheqësit e të dy vendeve në ditët në vijim.
Palët kanë filluar përgatitjet për takimin, java e ardhshme është data e synuar, por është e vështirë të përcaktohet se sa ditë do të zgjasin përgatitjet.
I dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Steven Wittkoff, propozoi idenë e një takimi trepalësh midis Putinit, Trumpit dhe Zelenskyt në një takim të mërkurën, por Moska nuk bëri komente. (A2 Televizion)