Bastisjet anti-korrupsion ndaj figurave të shquara ukrainase dhe lëvizjet për të favorizuar besnikët në pozicione të larta kanë çuar në akuza se qeveria e Presidentit Volodymyr Zelenskyy po rrëshqet drejt autoritarizmit. Ky është konkluzioni i investigimit të zhvilluar nga prestigjiozja Financial Times.
Zelenskyy dhe ndihmësit e tij kryesorë përballen me akuza nga politikanë, aktivistë dhe diplomatë se po përdorin kompetenca të jashtëzakonshme të dhëna nga ligji ushtarak për të lënë mënjanë kritikët, për të heshtur udhëheqësit e shoqërisë civile dhe për të konsoliduar kontrollin, përcjell A2 CNN.
Protestat janë shtuar që kur oficerë të maskuar dhe të armatosur rëndë nga Byroja Shtetërore e Hetimit (SBI) e Ukrainës hynë me forcë në shtëpinë e aktivistit të shquar kundër korrupsionit Vitaliy Shabunin në Kharkiv të premten e kaluar, duke sekuestruar telefona, laptopë dhe tableta.
Rreth të njëjtës kohë, hetuesit e SBI-së dhe agjentë të armatosur bastisën shtëpinë e ish-ministrit të infrastrukturës Oleksandr Kubrakov në Kiev, duke i marrë celularin dhe pajisje të tjera. Autoritetet thanë se bastisjet lidheshin me hetimet për korrupsion.
Shabunin dhe Kubrakov i cilësuan bastisjet si të motivuara politikisht, duke shtuar se SBI nuk kishte paraqitur asnjë urdhër arresti të lëshuar nga gjykata dhe nuk do të lejonte kohë që avokatët e tyre të ishin të pranishëm për bastisjet.
Shabunin i tha Financial Times: se “Zelenskyy po e përdor rastin tim për t’u dërguar një mesazh dy grupeve që mund të përbëjnë një kërcënim për të. Mesazhi është ky: nëse mund ta sulmoj publikisht Shabuninin, nën shqyrtimin e medias dhe pavarësisht mbështetjes publike, atëherë mund t’ju sulmoj secilin prej jush”.
“Grupi i parë janë gazetarë ose aktivistë që ekspozojnë korrupsionin”, shtoi ai. “Grupi i dytë është personeli ushtarak. Sepse akuzat kundër meje lidhen me shërbimin tim ushtarak”.
Aleatët politikë dhe madje edhe kritikët e Shabunin dhe Kubrakov, së bashku me pjesën më të madhe të shoqërisë civile të Ukrainës, dënuan bastisjet dhe paralajmëruan se ato duket të jenë pjesë e një fushate nga zyra e Zelenskyy kundër kritikëve.
Bastisjet pasuan sanksionet kundër disa politikanëve të shquar, përfshirë ish-presidentin Petro Poroshenko, i cili humbi një fushatë rizgjedhjeje ndaj Zelenskyy në vitin 2019 dhe që atëherë ka qenë një kritik i vendosur.
Aktivistët ukrainas, media e pavarur dhe zyrtarët perëndimorë në Kiev kanë paralajmëruar se ajo që filloi si një mbrojtje e sovranitetit rrezikon të shndërrohet në një kryqëzatë për të riformësuar shtetin sipas imazhit të rrethit qeverisës. Ata thonë se kjo kërcënon të minojë progresin në reforma që nga revolucioni demokratik i Ukrainës në vitin 2014. (A2 Televizion)