Presidentja Vjosa Osmani mbajti pasditen e së enjtes një konferencë për media ku zbuloi planin serb për përshkallzimin e situatës në Kosovë.
Sqarimi erdhi pas debatit që u ngrit në lidhje me deklaratat e saj që kishte konfirmuar se administrata e Donald Trump kishte parandaluar një luftë.
Osmani, e përmbajtur për të mos dhënë ndonjë informacion të klasifikuar, deklaroi se në fund të muajit maj kishin pasur informata specifike për lëvizjet në kufi me Kosovën.
“Kanë qenë lëvizje më specifike të cilat i kanë përngjarë lëvizjeve që ne i kemi parë më 2023 pak a shumë 2 muaj para [ngjarjes së Banjskës], lëvizje të ngjashme me atë që kemi parë në vitin 2023 mirëpo nuk është që kanë arritur të bëjnë ndonjë gjë sepse institucionet tona kanë kryer detyrën e tyre me vigjilencë”, tha presidentja.
Duke iu referuar një interviste të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhënë Ditarit Kosova në A2 CNN më 27 maj dhe gjithë debatit që prodhuan deklaratat, Osmani than ë ato ditë publiku u informua mbi atë çfarë po ndodhte.
“Ai [v.j. ministri Maqedonci] u sulmua ashpër pikërisht pse informoi publikun për këto rreziqe e tash janë pikërisht ata që e sulmuan që thonë pse nuk na keni informuar”, shton Osmani.
Osmani tha qytetarët nuk kanë nevoje të shqetësohen pasi të gjitha institucionet janë në krye të detyrës ndërsa edhe KFOR ka rritur prezencën në kufi me Serbinë.
“Tendencat e Serbisë janë të vazhdueshme nganjëherë kemi ngritje të nivelit të gatishmërisë së tyre në kufi me Kosovën nganjëherë kemi rritje të prezencës, nganjëherë marrim informata të tjera të cilat nuk mund t’i specifikoj por të gjitha këto janë parandaluar me sukses. Mobilizimi i institucioneve tona në çdo moment është maksimal”, shton presidentja.
Presidentja ndau edhe një moment kritik të vitit 2023 menjëherë pas sulmit terrorist të Banjskës kur tha se kishin vënë re një grumbullim të paprecedentë të ushtrisë serbe dhe armatimit serb në kufi me Kosovën që nxiti reagimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Rreziku akoma vazhdon sepse ata kishin mbledhur ushtrinë dhe mjetet e tyre ushtarake përreth Kosovës në një nivel që nuk e kemi parë nga viti 1999”, deklaroi Osmani.
Osmani nuk u mor me reagimet e Richard Grenell, por tha se nuk ka keqinterpretuar asnjë fjalë të presidentit Donald Trump duke përsëritur edhe deklarimet e kreut të Shtëpisë së Bardhë dhe çfarë ajo ka thënë.
Ajo shtoi se ka shprehur vlerësim pozitiv që presidenti Trump dhe administrata e tij kanë bërë e po bëjnë për Kosovën si një aleat strategjik. (A2 Televizion)
Sqarohet presidentja, Osmani zbulon planin serb: Ja cilat ishin lëvizjet në kufi
