Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të Gjeorgjisë bëri të ditur të enjten se ka arrestuar dy persona që po përpiqeshin të trafikonin dhe të shisnin një sasi uraniumi me vlerë 3 milionë dollarë, material ky që mund të përdorej për prodhimin e një bombe vdekjeprurëse, shkruan A2 CNN.
Sipas deklaratës zyrtare, ky ishte një krim “ndërkombëtar” që përfshinte “shitjen dhe blerjen e paligjshme të materialit bërthamor, në veçanti elementit kimik radioaktiv uranium”. Të arrestuarit, një shtetas gjeorgjian dhe një i huaj, u kapën në qytetin bregdetar të Batumit, në Detin e Zi. Emrat e tyre nuk janë bërë publikë, por ata përballen me deri në 10 vite burgim.
Autoritetet nuk dhanë detaje mbi shkallën e pasurimit të uraniumit, por theksuan se materiali ishte aq i fuqishëm në emetimin e rrezatimeve alfa dhe beta, sa që mund të përdorej për të ndërtuar një bombë me pasoja masive për jetën njerëzore.
Ky rast është vetëm një në një seri përpjekjesh të ngjashme të zbuluara nga autoritetet gjeorgjiane që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Që prej asaj kohe, Gjeorgjia, një shtet i vogël me rreth 3,7 milionë banorë në rajonin e Kaukazit Jugor, ka ndaluar disa tentativa për trafikim të uraniumit apo materialeve të tjera radioaktive. (A2 Televizion)