Sulmohet Kisha në Gaza, Meloni: E pafalshme dhe pa justifikim ajo që po bën Izraeli

Nga Rosalba Bejdo
17 Korrik 2025, 14:39 | Bota

Pas sulmeve ndaj qendrave të banuara, spitaleve e shkollave, Izraeli shënjestron edhe kishat në Gaza.

Disa persona mbetën të plagosur në Kishën e Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës, e cila, sipas raporteve të pakonfirmuara, u godit nga predhat izraelite të artilerisë. Në një deklaratë, krerët e Kishës thanë vetëm se ajo ishte goditur nga një sulm, por kryeministrja italiane Giorgia Meloni fajësoi forcat izraelite, shkruan A2.

Ajo tha se sulmet që Izraeli po ndërmerr prej muajsh kundër popullsisë civile janë të papranueshme.

“Asnjë aksion ushtarak nuk mund të justifikojë një sjellje të tillë”, tha Meloni.

Pamje të shfaqura në rrjet treguan dëmtimin e çatisë së Kishës, pranë Kryqit, dhe xhamat e thyer. Nga ana e saj, ushtria izraelite deklaroi se ishte në dijeni të raportimeve për dëme dhe viktima në Kishë, dhe se po shqyrtonte rrethanat e incidentit.

Qindra familje të shpërngulura kristiane nga komuniteti i vogël lokal kanë jetuar në Kishën Katolike që prej fillimit të luftës, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan. Kur ishte gjallë Papa Françesku, i telefononte ata thuajse në bazë ditore.  

Patriarkati ortodoks në Jeruzalem e dënoi sulmin si një shkelje flagrante të dinjitetit njerëzor, shenjtërisë së jetës dhe vendeve fetare, që, siç tha, duhet të jenë parajsa të sigurta në kohë luftrash.

Siç u tha, prifti argjentinas At Gabriel Romanelli ishte mes personave të plagosur në sulm.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos