Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt shpreson që gjatë fundjavës të arrihet marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje për të zhbllokuar ngërçin me mungesën e konstituuimit të Kuvendit.
Nga kjo parti thanë se nuk kanë lëvizur nga kërkesat e tyre e që është posti i kryeparlamentarit.
“Na jemi në atë diagonal të bisedimeve me çështjen që z Limaj të jetë në krye të Kuvendit dhe të presim në fundjavë që të kemi një epilog pozitiv të këtyre bisedimeve”, shprehet Xhevahire Izmaku.
Lëvizja Vetëvendosje tha se deri më tani nuk ka pasur ndonjë marrëveshje vetëm për faktin se nuk ka dakordim edhe me Listën Guxo dhe Alternativa që ky post t’i jepet Nismës.
Kjo e komplikon sërish situatën për të gjetur një gjuhë të përbashkët nëse asnjëra palë nuk rishikon kërkesat e saj.
“Ne e dimë që nuk ka pasur dakordim për faktin se ka pasur insistim nga kryetari i Nismës që pozita e kryeparlamentarit të jetë pozitë për të dhe ky propozim nuk ka hasur në mbështetje të plotë pranë grupit tonë parlamentar të përbërë nga tri partitë dhe kemi mbetur”, u shpreh Mimoza Kusari.
Edhe në rast të një koalicioni mes Vetëvendosjes dhe Nismës bëhen vetëm 60 vota, prandaj duhet të paktën edhe një votë tjetër për të zgjedhur kryeparlamentarin.
Deputeti nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, premtoi se do të votojë cilindo kandidat pa ndonjë marrëveshje me kushtin e vetëm që votimi të jetë i hapur dhe jo në mënyrë të fshehtë.
“Secili kandidat që vjen i hapur unë e votoj sepse konstituuimi i Kuvendit është obligim, Kuvendi duhet të konstituuohet pastaj për të kaluar në diskutimin e mëtutjeshën në formimin e qeverisë”, shprehet Veton Berisha.
Lëvizja Vetëvendosje së bashku me partnerët e saj të vegjël ka 57 deputetë, ndërsa Nisma ka tre. (A2 Televizion)
Marrëveshja VV-Nisma, Limaj nuk heq dorë nga posti i kryeparlamentarit
