Vendimi i Supremes, ministrat nuk heqin dorë nga funksionet ekzekutive

Nga A2 CNN
17 Korrik 2025, 20:02 | Politikë

Qeveria në detyrë ka paralajmëruar se do të ankimojë aktgjykimin e Supremes që rrëzoi një udhëzim administrativ të Ministrisë së Financave.

Ky vendim i Supremes erdhi me arsyetimin se akti ishte miratuar nga një qeveri dhe ministër në detyrë, të cilëve u mungon kompetenca për të nxjerrë akte nënligjore.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e cilësoi të dëmshëm vendimin e Supremes në lidhje me udhëzimin administrativ për pajisjet fiskale gjatë veprimtarive ekonomike.

“Nuk kemi të bëjmë me vendim që mbron kushtetutën por është një vendim që mbron interesat financiare të grupeve biznesore që në të kaluarën ka qenë të lidhura me qeverinë dhe tash po i bie që janë të lidhura me opozitën”, tha Murati.

Murati nuk pranoi të përgjigjet nëse do të heq dorë nga funksionet ekzekutive pas këtij vendimi, por u kthye sërish në zyrat e ministrisë.

Edhe ministrat e tjerë në detyrë që janë betuar si deputetë nuk pranuan të deklarohen nëse do të heqin dorë nga funksionet ekzekutive pas vendimit të Supremes.

Disa akte nënligjore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Ministrisë së Bujqësisë, ndryshe nga ministritë e tjera, janë firmosur nga zëvendësministrat që nuk janë deputetë.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se nuk duhet të ketë vakuum institucional, ndërsa në lidhje vendimet e nënshkruara nga zëvendësit e tij ka qenë praktikë edhe mëhershme.

“Kryeministri dhe ministrat duhet me qenë në institucion deri kur të formohet qeveria e re. […] Është çështje e delegimit të përgjegjësive edhe zëvendësministrat duhet të kenë ndonjë rol, në një fazë të tillë të një qeverie tranzitore çfarë jemi na”, deklaroi Peci.

Përpos vendimit të Supremes, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë kallëzime penale për 17 anëtarët e kabinetit qeveritar që janë njëkohësisht edhe deputetë me pretendimet se po bëjnë shkelje ligjore dhe kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos