Këshilltari i Zelenskyt: Ukraina kërkon më shumë armë, sepse Rusia s’është e interesuar për paqe

Nga A2 CNN
25 Gusht 2025, 17:03 | Bota

Këshilltari i Zelenskyt: Ukraina kërkon më shumë armë,

Ukraina po kërkon më shumë armë nga Perëndimi për shkak të shqetësimeve se, madje edhe pas dy samiteve të fundit në Shtetet e Bashkuara, Rusia “nuk është e interesuar” për paqe, tha një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për rrjetin e Radios Evropa e Lirë, Current Time.

Mykhaylo Podolyak tha të hënën se Kievi ka qenë në “konsultime aktive” me zyrtarë amerikanë dhe evropianë “për rritjen e furnizimit me mjete të ndryshme për të zhvilluar operacione kundër luftës”.

“Ne e kuptojmë se sa shumë po shpenzon Rusia tani, dhe çfarë do të bëjë më pas, se çfarë burimesh po përdorin përgjatë vijës së frontit apo më thellë në territorin ukrainas”, shtoi Podolyak, një figurë kyçe në administratën e Zelenskyt që prej vitit 2020.

“Për rrjedhojë, janë duke u zhvilluar konsultime dhe negociata për ta rritur fluksin e disa llojeve të armëve në Ukrainë... Raketat me rreze të gjatë veprimi, dronët me rreze të gjatë veprimi. Sot ky është një nga drejtimet kryesore, që na lejon të ndikojmë në mënyrë efektive në rrjedhën e kësaj lufte”, tha ai.

Rusia e ka vazhduar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, të cilin e nisi në shkurt 2022, edhe pas takimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë më 15 gusht, dhe me Zelenskyn dhe liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë tri ditë më vonë.

Sulmet ruse në rajonin e Sumit në Ukrainë vranë një civil dhe plagosën nëntë të tjerë gjatë natës, ndërsa dhjetëra beteja u zhvilluan përgjatë vijave të frontit në 24 orët e fundit, shumë prej tyre pranë qytetit të shkatërruar të Pokrovskut në rajonin e Donjeckut, thanë zyrtarë ukrainas të hënën.

Moska gjithashtu ka hedhur poshtë mundësitë për paqe.

Trump, i cili ka kërkuar të ndërmjetësojë përfundimin e luftës prej se e mori detyrën në janar, i përdori takimet – për ta caktuar një takim ballë për ballë mes Putinit dhe Zelenskyt, të cilët nuk janë takuar personalisht që prej vitit 2019.

Zelensky është pajtuar për takim me Putinin dhe e kërkoi një të tillë edhe gjatë bisedimeve të nivelit më të ulët për paqe në Stamboll në maj.

Duke folur të dielën gjatë ceremonisë së shënimit të 34-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik më 1991, Zelensky tha se një takim me Putinin do të ishte “rruga më efektive përpara”.

Por, Rusia nuk ka pranuar deri tani, duke lënë të kuptohet se nuk është gati për një takim Putin-Zelensky tani dhe ndoshta as në të ardhmen e afërt.

“Putini është i gatshëm të takohet me Zelenskyn kur të jetë gati agjenda për një samit. Dhe, kjo agjendë nuk është aspak gati”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për NBC News në një intervistë të transmetuar më 22 gusht.

Një takim mes dy presidentëve do të ishte “pa dyshim” i mundur “nëse Rusia do të kishte dëshirë të angazhohej realisht në bisedime për t’i dhënë fund luftës, ose të paktën për skenarët e mundshëm të ndalimit të saj”, tha Podolyak për Current Time.

“Por, sa unë e kuptoj, dhe siç është krejtësisht e dukshme, Rusia nuk është e interesuar për t’i dhënë fund armiqësive, sidomos jo për ndalimin e bombardimeve mbi infrastrukturën civile dhe popullsinë civile”, shtoi ai.

“Politika e tanishme e luftës së Rusisë bazohet në tri elemente thelbësore”, tha Podolyak.

Ai shtoi: “Së pari, blerja e kohës dhe për këtë, ata me qëllim mashtrojnë Shtetet e Bashkuara me këtë gatishmëri të supozuar për të negociuar. Së dyti, në asnjë rrethanë nuk pranojnë idenë e një armëpushimi, asnjë plan gjithëpërfshirës armëpushimi, përfshirë ato të diskutuara rreth Trumpit, madje edhe nga vetë Trumpi. Dhe së treti, shmangia e vendosjes së sanksioneve të mëtejshme. Pra, për ta thënë troç, Rusia do të imitojë çdo përpjekje për të negociuar në nivel presidencial, në nivelin e Putinit, por në realitet, nuk ka asnjë interes për këtë”.

Në komentet e tij për NBC, Lavrov gjithashtu pretendoi se deklaratat nga evropianët pas samitit në Alaskë dhe në mbledhjen në Uashington më 18 gusht tregonin se “ata nuk duan paqe”, dhe i kundërshtoi planet që mbështetësit perëndimorë të Ukrainës po përpiqen t’i përpilojnë për garanci sigurie për Kievin në rast të një marrëveshjeje për paqe.

Ai tha se anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të jenë garantues të sigurisë së Ukrainës.

Kievi dhe aleatët e tjerë deri tani kanë refuzuar idenë që Moska të jetë ndër garantuesit e sigurisë për një marrëveshje paqeje, dhe Zelensky ka hedhur poshtë gjithashtu mundësinë që Pekini të luajë rol. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos