Vetoja e presidentit polak kërcënon qasjen e Ukrainës në Starlink

Nga A2 CNN
25 Gusht 2025, 17:01 | Bota

Vetoja e presidentit polak kërcënon qasjen e Ukrainës në

Qasja e Ukrainës në shërbimin e internetit satelitor Starlink, mund të bllokohet për shkak të vetos së presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki në një projektligj për ndihmë për refugjatët, ka bërë të ditur zëvendëskryeministri polak të hënën, teksa konflikti mes Qeverisë dhe kreut të shtetit sa shkon e thellohet.

Polonia e paguan shërbimin e Starlinkut për Ukrainën, duke mundësuar shtrirjen e internetit në këtë shtet dhe në zonat ku janë të pociozionuara forcat ushtarake ukrainase, të cilat luftojnë pushtuesit rusë.

Presidenti polak, Nawrocki i ka vënë veton projektligjit për vazhdim të ndihmës financiare për refugjatët ukrainas dhe i ka bërë të ditura planet për t’ua kufizuar atyre qasjen në kujdes shëndetësor dhe përfitime për fëmijë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri polak, Krzystof Gawkowski, ka thënë se legjislacioni përfshin edhe bazën ligjore për ofrim të Starlinkut në Ukrainë.

“Këtu merr fund interneti nga Starlinku të cilin e paguan Polonia për Ukrainën, teksa përballet me luftë”, ka shkruar ai në X – dikur Twitter.

Një zëdhënës i Gawkowskit ka thënë se vetoja e Nawrockit nënkupton se prej 1 tetorit nuk do të ketë bazë ligjore për t’i kryer pagesat për Starlink.

Zëdhënësi i Nawrockit i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se baza ligjore për Starlinkun mund të rikthehet nëse parlamenti e miraton një projektligj të propozuar nga presidenti deri në fund të muajit.

Polonia është njëra prej mbështetëseve më të mëdha të Ukrainës, prej nisjes së pushtimit rus më 2022.

Si Qeveria e qendrës, e kryeministrit, Donald Tusk, ashtu edhe Nawrocki, nacionalist konservator, pajtohen për nevojën e ofrimit të ndihmës për Ukrainën që t’i bëjë ballë pushtimit rus, ndonëse disa polakë janë me dy mendje nëse duhet ofruar ndihmë për 1.5 milion ukrainasit që tani jetojnë në Poloni.

Nawrocki ka bërë fushatë këtë vit me bindjen se "polakët duhet të jenë prioritet" dhe ka kërkuar që të kufizohen të drejtat e të huajve në Poloni.

“Nuk e kam ndryshuar mendimin dhe synoj përmbushjen e obligimeve të mia, dhe besoj që ndihma duhet t’iu ofrohet vetëm ukrainasve që bëjnë përpjekje për të punuar në Poloni, dhe e njëjta gjë vlen edhe për kujdes shëndetësor”, u ka thënë ai gazetarëve.

Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk ka reaguar ndaj këtij vendimi.

Refugjatët ukrainas në Poloni kanë të drejtë t’i marrin 219 dollarë për një fëmijë, nëse fëmijët shkojnë në shkollat polake.

Edhe vendet tjera të Bashkimit Evropian kanë propozuar së fundmi zvogëlimin e përfitimeve për ukrainasit.

Në Poloni, presidenti mund t’i propozojë projektligjet dhe të përdorë veton ndaj legjislacioneve qeveritare.

Ngjashëm, edhe Qeveria mund t’i bllokojë propozimet e presidentit. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos