Kievi tronditet nga sulmi rus, Peskov: Duam një përgjigje nga Zelenski për armëpushimin

Nga Erjon Dervishi
4 Maj 2025, 08:06 | Bota

Kievi është tronditur nga një sulm i furishëm rus. Dronët luftarakë kanë plagosur të paktën 11 persona, duke përfshirë dy fëmijë.

Raportohen se janë shkatërruar disa ndërtesave banimi në të gjithë qytetin. Rënia e mbetjeve nga dronët e shkatërruar shkaktuan zjarre në ndërtesat e banimit në rrethet Obolonskyi dhe Sviatoshynskyi të Kievit.

Shërbimi i urgjencës i Ukrainës tha në aplikacionin e mesazheve Telegram se 76 zjarrfikës ishin të përfshirë në shuarjen e zjarreve gjatë natës në Kiev, të cilat përfshinin gjithashtu një vatër të vogël në lagjen qendrore Shevchenkivsky të Kievit.

Kryeqyteti, rajoni i tij përreth dhe gjysma lindore e Ukrainës ishin nën alarmin e sulmeve ajrore për rreth një orë, duke filluar menjëherë pas mesnatës të së dielës me orën lokale.

Ndërkohë Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko raporton në Telegram se ka një viktimë dhe dy fëmijë të plagosur.  Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Moska në lidhje me sulmin që ndodhi mes pasigurisë nëse të dyja palët do të ndalonin aktivitetet e luftës gjatë përkujtimeve të Moskës më 8-10 maj të fitores së Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij në Luftën e Dytë Botërore.

Sakaq, Kremlini me anë të zëdhënësit të tij ka bërë të ditur se dëshironte një përgjigje "përfundimtare" nga Ukraina ndaj ofertës së Presidentit rus Vladimir Putin për një armëpushim tre-ditor që të përkonte me përkujtimet e fitores në Luftën e Dytë Botërore më 9 maj.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy duket se e ka përjashtuar një armëpushim të tillë, duke thënë se është gati të bjerë dakord vetëm nëse armëpushimi do të zgjasë të paktën 30 ditë, një ide që Putini ka thënë se duhet shumë punë përpara se të bëhet realitet.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se oferta tre-ditore e Putinit ishte një provë për të vlerësuar gatishmërinë e Kievit për të kërkuar një zgjidhje paqësore për t'i dhënë fund luftës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos