Rusia ndërmori një sulm masiv me dron në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, ku goditi një pallat shumëkatësh. Një seri zjarresh u shkaktuan si pasojë e valës së sulmeve në orët e vona të së premtes, e të paktën 46 persona mbetën të plagosur mes të cilëve edhe një vajzë 11-vjeçare. Sipas kryebashkiakut Ihor Terekhov, 12 zona , rreth qytetit verilindor ishin vënë në shënjestër. Ndërkohë Presidenti Volodimir Zelenski denoncoi sulmet me dronë dhe tha se aleatët e Ukrainës po vepronin shumë ngadalë për të përforcuar kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Kievit.
“Nuk kishte objektiva ushtarake atje dhe as nuk mund të kishte. Rusia godet pallatet kur ukrainasit janë në shtëpitë e tyre, kur po i vënë fëmijët në gjumë. Ndërsa bota vonon vendimet, pothuajse çdo natë në Ukrainë shndërrohet në një tmerr që rezulton në humbjen e jetëve. Ukrainës i duhet mbrojtje ajrore më e fortë. Vendime më të forta nga partnerët tanë: Shtetet e Bashkuara, Evropa, të gjithë partnerët tanë që kërkojnë paqe", tha Zelensky.
Pamje të shfaqura në rrjet treguan zjarrfikësit teksa përballeshin me flakët, fasada të shkatërruara të godinave, xhama të thyer dhe automjete në flakë. Autoritetet rajonale thanë se 4 persona mbetën gjithashtu të plagosur në një sulm rus me dronë e artileri në rajonin juglindore të Dnipropetrovks.
Në Herson, një banor humbi jetën pas shpërthimit të një droni të rrëzuar, të cilin po përpiqej te merrte në shtëpi. Sipas autoriteteve të Ukrainës, Moska kishte lëshuar rreth 183 dronë dhe 2 raketa balistike gjatë natës. Ndërkohë, kryebashkiaku i qytetit port të Novorossiisk në Rusi, shpalli gjendjen e emergjencës të shtunën, pasi autoritetet lokale thanë se një sulm me dron nga Ukraina kishte dëmtuar një terminal gruri dhe disa godina banimi duke plagosur 5 persona. (A2 Televizion)