Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka inspektuar një fabrikë të prodhimit të tankeve, ku vlerësoi “përparimin e madh në teknologjinë thelbësore të tankeve në stilin korean”, raportoi sot media shtetërore KCNA.
Kim deklaroi se prodhimi i tankeve dhe automjeteve të blinduara është kyç për modernizimin e ushtrisë dhe për përmbushjen e planit të Partisë për “revolucionin e dytë në forcat e blinduara”.
Vizita e Kim-it vjen në kuadër të një përpjekjeje më të gjerë për të modernizuar forcat e armatosura konvencionale të vendit, përveç arsenalit bërthamor dhe atij me raketa.
Kohët e fundit, ai mori pjesë në lëshimin e një “destrojeri” të ri detar si dhe në testet e dronëve të rinj dhe armëve të tjera.
Zyrtarë nga Koreja e Jugut dhe SHBA kanë deklaruar se dyshojnë që Koreja e Veriut po merr ndihmë teknike dhe ushtarake nga Rusia në këmbim të furnizimeve me municion, raketa dhe madje edhe trupa për luftën në Ukrainë, megjithëse nuk janë konfirmuar ende detaje konkrete. (A2 Televizion)