Zelensky: Jemi gati për armëpushim të menjëhershëm, nëse Rusia ndalon sulmet

Nga A2 CNN
3 Maj 2025, 22:56 | Bota

Zelensky: Jemi gati për armëpushim të menjëhershëm,

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të kalojë në një armëpushim të menjëhershëm me Rusinë, nëse edhe pala ruse ndalon sulmet.

“Ne jemi të gatshëm të kalojmë në një armëpushim sa më shpejt që të jetë e mundur, madje që sot, nëse Rusia është e gatshme të bëjë të njëjtën gjë. Një heshtje e zgjatur për të paktën 30 ditë do të ishte një periudhë e ndershme kohore për të përgatitur hapat e ardhshëm”, u shpreh ai në një postim në kanalin e tij zyrtar në Telegram.

Zelensky theksoi se ndalimi i luftimeve dhe bombardimeve nga ana e Rusisë është kushti kryesor për këtë armëpushim.

Në të njëjtën deklaratë, presidenti ukrainas paralajmëroi për rrezikun e provokimeve të mundshme nga Moska gjatë ngjarjeve që shënojnë 80-vjetorin e fitores sovjetike në Luftën e Dytë Botërore, që do të mbahet më 9 maj në Moskë.

Ai shprehu shqetësimin për mundësinë e skenarëve me "flamuj të rremë", ku Rusia mund të organizojë shpërthime për t’ia atribuar fajin Ukrainës.

“Putini mund të krijojë incidente dhe pastaj të na akuzojë”, tha Zelensky, duke shtuar se nuk mund të garantojë sigurinë e udhëheqësve ndërkombëtarë që do të marrin pjesë në paradë.

Nga ana tjetër, Rusia e cilësoi këtë paralajmërim si një “kërcënim të drejtpërdrejtë” ndaj ceremonisë shtetërore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos