Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka mbrojtur vendimin për të klasifikuar partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) si ekstremiste e djathtë, pavarësisht kritikave të ashpra nga Shtëpia e Bardhë. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance akuzoi “burokratët” gjermanë se po rindërtojnë Murin e Berlinit, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio e quajti vendimin “tiraní e maskuar”.
Në një reagim të pazakontë, Ministria e Jashtme Gjermane iu përgjigj drejtpërdrejt Rubio-s në platformën X, duke shkruar: “Kemi mësuar nga historia jonë se ekstremizmi i djathtë duhet ndalur”.
Vendimi u mor nga agjencia e inteligjencës, Bundesamt für Verfassungsschutz (BfV), e cila theksoi se qëndrimi i AfD-së mbi etninë dhe prejardhjen është në kundërshtim me rendin demokratik të Gjermanisë, shkruan A2 CNN. AfD tashmë ishte klasifikuar si ekstremiste në tre lande lindore ku gëzon mbështetje të lartë, por tani kjo etiketë është zgjeruar në nivel kombëtar.
AfD doli parti e dytë në zgjedhjet federale të shkurtit me 20.8% të votave dhe fitoi 152 vende në Bundestag. Udhëheqësit e partisë, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, e quajtën vendimin “politikisht të motivuar” dhe “një goditje të rëndë për demokracinë gjermane”.
Klasifikimi i ri u jep autoriteteve më shumë fuqi për të vëzhguar partinë, përfshirë përgjime telefonike dhe agjentë të fshehtë. Kjo ka nxitur debate të reja për ndalimin e AfD-së, sidomos përpara votimit në Bundestag për konfirmimin e liderit konservator Friedrich Merz si kancelar, i cili pritet të udhëheqë një koalicion me Socialdemokratët (SPD).
Lideri i SPD-së, Lars Klingbeil, paralajmëroi se ndalimi i AfD-së është një mundësi reale: “Ata duan një vend tjetër, duan të shkatërrojnë demokracinë tonë. Dhe këtë duhet ta marrim shumë seriozisht”. (A2 Televizion)