Kievi u çon planin e ri amerikanëve, kërcënon Lavrov: Nëse Europa dërgon trupa në Ukrainë, gati për luftë

Nga Rosalba Bejdo
10 Dhjetor 2025, 22:28 | Bota

Vijon ethshëm diplomacia për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Paralelisht me takimet që Presidenti ukrainas po zhvillon me liderët europianë, negociatorët e tij gjenden sot në Uashington për të biseduar me të dërguarit e Trump për Ukrainën.

Zelensky bëri të ditur se do të zhvillohen bisedime mbi një dokument që detajon procesin e rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik të vendit pas luftës. Njëkohësisht, shton ai, po punohet për 20 pikat e një dokumenti thelbësor që do mund të përcaktojë parametrat për fundin e luftës e që do ti dorëzohet së shpejti Uashingtonit, shkruan A2.

Bisedimet në Shtëpinë e Bardhë vijnë mes tensioneve në rritje mes Trump dhe Zelenskyt. Presidenti amerikan akuzoi liderin ukrainas se po përdor luftën për të shmangur zgjedhjet, teksa Zelensky po bën rezistencë ndaj planit të Trump, që parashikon lëshime territoresh ndaj Rusisë.

Por, Kievi pretendon se ka gati një plan të ri, ndërsa Presidenti ukrainas iu përgjigj Trumpit se vendi i tij do të ishte gati për zgjedhje brenda 3 muajsh, nëse partnerët mund të garantojnë votim të sigurtë në kohë lufte.

Zelensky deklaroi se i kishte kërkuar ligjvënësve nga partia e tij të hartojë propozimet legjislative që do të lejonin mbajtjen e zgjedhjeve nën ligjin ushtarak: “Për të mbajtur zgjedhje dy çështje duhet të adresohen. Fillimisht, siguria. Si t’i zhvillojmë ato nën sulme raketore; dhe çështja e ushtrisë sonë. Si do të votojë ajo?”

Synimet e Uashingtonit për një kompromis të shpejtë për fundin e luftës po redukton hapësirën e Kievit për manovrime dhe Zelensky po ecën nën një fill të hollë mes nevojës për të mbrojtur interesat ukrainase dhe për t’i treguar Trumpit se është gati të bëjë kompromise. Aleatët europianë po mbështesin përpjekjet e Zelenskyt për të siguruar se çdo marrëveshje të jetë e drejtë, të parandalojë sulme të ardhshme ruse dhe të mbrojë interesat e mbrojtjes europiane.

Qeveria franceze bëri me dije se aleatët e Ukrainës, të pagëzuar si Koalicioni i Vullnetarëve, do të diskutojnë të enjten mbi negociatat.

Kancelari gjerman Fridriech Merz pohoi nga Berlini se po dëshmonin një momentum diplomatik në përpjekjet për paqen. Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, reagoi ashpër ndaj mundësisë së dërgimit të trupave europiane në Ukrainë.

“Moska nuk ka asnjë qëllim të hyjë në luftë me europën por është gati të reagojë ndaj një dislokimi të mundshëm të trupave europiane në Ukrainë”, paralajmëroi Lavrov. Ai sulmoi atq që e quajti verbëri të pashpresë politike të BE, që krijon iluzione për mundjen e Rusisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos