Presioni i Trump nuk funksionon, ukrainasit nuk duan zgjedhje në kohë lufte

Nga Alba Alishani
10 Dhjetor 2025, 18:15 | Bota

I ndodhur përballë presionit amerikan për arritjen e një paqe më Rusinë, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy po has edhe një tjetër vështirësi, idenë për të mbajtur zgjedhje të përgjithshme.

Por, shumica e ukrainasve vazhdojnë të mbështesin Presidentin Volodymyr Zelenskiy dhe kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve ndërsa vendi mbetet në luftë, shkruan A2.

Anton Hrushetskyi, drejtor ekzekutiv i Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë në Kiev, tha se rreth 55% e ukrainasve i besojnë Zelensky pavarësisht skandaleve të fundit, duke e parë atë si një udhëheqës legjitim gjatë konfliktit.

"Sa i përket Zelenskyt, po, skandalet më të fundit ndikuan në nivelin e besimit tek ai, por sidoqoftë, tani kur po diskutojmë rezultatet tona, dëgjojmë për gjysmën e parë të dhjetorit, rreth 55% e ukrainasve i besojnë atij. Pra, për shumicën, ai është një kryetar shteti krejtësisht legjitim, njerëzit mblidhen rreth tij dhe thonë se ai është presidenti ynë dhe ne duhet të jemi të bashkuar kundër të gjitha këtyre sfidave me të cilat përballemi tani", tha Anton Hrushetskyi.

Në vitin 2019, Zelensky u zgjodh President pasi u zotua të luftonte korrupsionin gjatë një fushate që mbështetej në postime të çuditshme në mediat sociale. Të martën e 9 dhjetorit Zelenskiy tha se ishte i përgatitur të mbante zgjedhje brenda tre muajsh nëse SHBA-të dhe aleatët e tjerë të Kievit mund të siguronin sigurinë e votës. Zgjedhjet në kohë lufte janë të ndaluara me ligj, por Zelenskiy, mandati i të cilit skadoi vitin e kaluar, po përballet me presion të ri nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për të mbajtur një votim ndërsa ai e shtyn Kievin të sigurojë paqen shpejt në luftën gati katërvjeçare me Rusinë. Vetëm rreth 10% e ukrainasve mbështesin organizimin e zgjedhjeve nën gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa më shumë se gjysma besojnë se votimi duhet të zhvillohet vetëm pasi të nënshkruhet një marrëveshje e plotë paqeje, shtoi Hrushetskyi.

"Për momentin, vetëm 10% e ukrainasve thonë se duhet të mbajmë zgjedhje tani, edhe në kushte gjendjeje ushtarake. Për shumicën absolute, zgjedhjet duhet të mbahen vetëm pasi të nënshkruhet marrëveshja e paqes ose pasi të kemi një armëpushim të paktën me disa garanci të forta sigurie, por kryesisht më shumë se 50% thonë se vetëm pasi të nënshkruhet marrëveshja e plotë e paqes. Pra, për ukrainasit nuk ka nevojë të mbajnë zgjedhje tani”, deklaroi Anton Hrushetskyi.

Analisti Volodymyr Fesenko thekson për Reuters se sfidat logjistike, duke përfshirë miliona qytetarë dhe ushtarë të zhvendosur në vijën e frontit, i bëjnë zgjedhjet jopraktike për momentin. Ish-komandanti i përgjithshëm Valerii Zaluzhnyi, tani ambasadori i Ukrainës në Britani, gëzon vlerësime më të larta se Zelenskiy në disa sondazhe, por Hrushetskyi shtoi se fushata gjatë kohës së luftës do të ulte disa nivele mbështetjeje për çdo kandidat.

"Nuk po flas fare për pjesëmarrjen e ushtarëve në zgjedhje si kandidatë. Me zgjedhjet presidenciale nuk është aq e vështirë, sepse nuk do të ketë shumë kandidatë. Dhjetë ose njëzet kandidatë, vështirë më shumë. Por me zgjedhjet parlamentare, nuk po flas fare për zgjedhjet lokale, është thjesht joreale. Çështja është se atëherë ne do t'i privojmë ushtarët nga pjesëmarrja në një fushatë të vërtetë zgjedhore si kandidatë. Njerëz që luftojnë për vendin. Dhe kjo do të ishte shumë e padrejtë", thekson Fresenko.

Zelensky dhe zyrtarë të tjerë e kanë hedhur poshtë vazhdimisht idenë e mbajtjes së zgjedhjeve për shkak të sulmeve të shpeshta ajrore ruse në të gjithë vendin, pasi gati një milion trupa në front dhe miliona ukrainas të tjerë të zhvendosur.

"Regjistri i votuesve, lista e votuesve. Ky do të jetë një problem shumë i vështirë. Meqenëse kemi miliona njerëz jashtë vendit, të paktën pesë milionë njerëz, ndoshta disa milionë, ka numra të ndryshëm. Këta janë njerëz të zhvendosur brenda Ukrainës dhe pastaj banorë të territoreve të pushtuara", theksoi Fresenko.

Zelensky tha të martën se do t'i kërkonte parlamentit të përgatiste propozime për legjislacionin që mund të lejonte zgjedhje gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos