Kim Jong Un në lot, për ushtarët e vrarë në luftën Rusi-Ukrainë

Nga A2 CNN
1 Korrik 2025, 14:51 | Bota

Në një ceremoni madhështore në Penian, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, është parë duke lotuar gjatë një shfaqjeje operistike që nderonte ushtarët koreano-veriorë të vrarë në fushëbetejë, ndërsa luftonin përkrah ushtrisë ruse në rajonin e Kurskut në Ukrainë.

Ceremonia shënoi një vit nga nënshkrimi i paktit të mbrojtjes midis Koresë së Veriut dhe Rusisë. Në skenën pas orkestrës, transmetoheshin pamje filmike ku Kim shihej duke u gjunjëzuar pranë një arkivoli të mbuluar me flamurin koreano-verior, ndërsa përpiqej të përmbante emocionet, shkruan A2 CNN.

Në video të tjera, 41-vjeçari u shfaq duke miratuar planet ushtarake për operacionet në Kursk, ku trupat koreano-veriore u dislokuan në fund të vitit të kaluar për të ndihmuar ushtrinë ruse në dëbimin e trupave ukrainase nga një zonë strategjike.

Sipas Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, rreth 6000 ushtarë koreano-veriorë janë vrarë ose plagosur gjatë luftimeve në këtë rajon. Megjithatë, gjatë ceremonisë në Penian u paraqitën vetëm gjashtë arkivole, një numër që analistët besojnë se synon të qetësojë opinionin publik për kostot e operacionit.

Në skenën ceremoniale ishte e pranishme edhe vajza e Kim-it, Kim Ju-ae, e cila duartrokiti teksa në sfond shfaqeshin imazhe të tankeve koreano-veriore me simbolin rus “Z”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos