Senati amerikan po zhvillon një votim maratonë lidhur me projektligjin për buxhetin dhe taksat, që konsiderohet si tejet i rëndësishëm për agjendën e Trumpit, por që ka përçarë Kongresin prej disa javësh.
Republikanët të cilët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit janë të ndarë në lidhje me sasinë e shkurtimeve të programeve të mirëqenies sociale në mënyrë që të zgjasin lehtësimet tatimore, në atë që Trump e ka quajtur një projektligj i madh e i bukur, shkruan A2.
Nëse ai kalon në Senat, do të duhet t’i nënshtrohet një tjetër votimi në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila miratoi versionin e vet të projektligjit muajin e kaluar me një shumicë prej vetëm një vote. Senatorët janë duke votuar aktualisht në një seancë maratonë që përfshin një sërë amendamentesh nga republikanët dhe demokratët e pakicës, një procedurë kjo që republikanët po përdorin për të anashkaluar rregullat e Senatit të cilat normalisht kërkojnë që 60 nga 100 anëtarët e Dhomës të bien dakord për legjislacionin.
Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Donald Trump, Elon Musk, e ka sulmuar sërish projektligjin që u bë mollë sherri mes të dyve, teksa Presidenti po nxiton ta miratojë deri më 4 korrik. Ai e ka cilësuar atë një çmenduri dhe tha se çdo republikani që ka bërë fushatë për reduktimin e shpenzimeve në qeveri, e menjëherë më pas ka votuar për rritjen më të madhe të borxhit në histori, duhet t’i vijë turp.
Borxhi aktual është në vlerat e 36 trilionë dollarëve. Nëse miratohet projektligji do t’i shtojë atij edhe 3,3 trilionë dollarë të tjera. Presidenti amerikan u kundërpërgjigj duke sugjeruar që departamenti i cili drejtohej nga Musk, DOGE, të shikojë mundësinë e shkurtimit të subvencioneve për kompaninë Tesla, në mënyrë që të kursejë para. Ai tha se miliarderi do të duhej të mbyllte kompaninë e tij Tesla e të kthehej në Afrikën e Jugut në rastin se do të mbetej pa subvencione.
“Makinat elektrike janë fantastike, por jo të gjithë duhet të jenë të detyruar të kenë një të tillë”, tha Trump në rrjetin “Social truth”. (A2 Televizion)