Kina bën gati urën më të lartë në botë, 96 kamionë për testin e forcës

Nga A2 CNN
27 Gusht 2025, 12:33 | Bota

Ura e Kanionit të Madh Huajiang, një nga projektet më mbresëlënëse inxhinierike të Kinës, ka kaluar me sukses një provë kritike qëndrueshmërie vetëm disa javë para hapjes së saj.

Ura masive e varur, e cila shtrihet në 625 metra mbi një grykë në lumin Beipan të provincës Guizhou, është më e larta në botë. Gjatësia e saj totale është më shumë se 2.8 km. Ndërtimi filloi në janar 2022 dhe pritet të hapet për qarkullim në fund të shtatorit.

Ura u ndërtua me qëllim përmirësimin e lidhjeve rrugore në zonat e paarritshme, lehtësimin e tregtisë dhe rigjallërimin e provincës duke tërhequr turistë. Në këtë kontekst, është planifikuar edhe krijimi i një qendre të madhe për sporte ekstreme në rrëzë të luginës.

Sipas BBC-së, testi për forcën e urës, i cili është pjesë e fazës përfundimtare të kontrolleve para se të hapet për trafik, zgjati pesë ditë. Ndër të tjera, ai përfshinte vendosjen e 96 kamionëve në pika specifike në urë, me qëllim konfirmimin e integritetit strukturor të projektit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos