Natë ferri në Moskë, dronët ukrainas godasin blloqe banimi

Nga A2 CNN
24 Tetor 2025, 09:42 | Bota

Natë ferri në Moskë, dronët ukrainas godasin blloqe banimi

Nata në rajonin e Moskës është tronditur nga një tjetër sulm me dronë. Një prej tyre ka fluturuar direkt në katin e 14-të të një ndërtese banimi në qytetin Krasnogorsk, duke lënë të plagosur pesë persona, mes tyre edhe një fëmijë.

Sipas guvernatorit të rajonit të Moskës, Andrey Vorobyov, i cili reagoi në Telegram, katër prej të plagosurve janë dërguar menjëherë në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Pamjet e shpërndara në rrjete tregojnë momente paniku dhe ndërtesën e dëmtuar rëndë pas shpërthimit. Autoritetet ruse thanë se dronët kishin shënjestruar objektiva të ndryshme në rajonin e kryeqytetit.

Ndërkohë, pala ukrainase ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës ushtarake në territorin rus, duke synuar dobësimin e kapaciteteve luftarake të Moskës. Vetëm një ditë më parë, Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës njoftoi për një operacion në qytetin e Stavropolit, ku tre parashutistë rusë u vranë në një pikë kontrolli ushtarake.

Në të njëjtën kohë, mediat ruse raportuan për shpërthime të fuqishme në një fabrikë municionesh në qytetin Kopeysk, në Rusinë qendrore. Shpërthimet ndodhën pranë fabrikës “Plastmass”, e cila prodhon municione për ushtrinë ruse dhe është në listën e sanksioneve të vendosura nga aleatët e Ukrainës.

Qyteti i Kopeysk ndodhet rreth 1,700 kilometra nga kufiri verilindor i Ukrainës, duke treguar se vala e incidenteve dhe sabotimeve po shtrihet gjithnjë e më thellë në territorin rus. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos