“Kina, instrument në duart e Putinit”

Nga Rosalba Bejdo
2 Qershor 2024, 15:51 | Bota

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzon Rusinë dhe Kinën se po tentojnë të minojnë samitin global të paqes që do të mbahet në Zvicër.

Ai tha se Moska po përpiqet të bindë shtetet e tjera të mos marrin pjesë në ngjarje, e po të njëjtën gjë po bën edhe Pekini. Duke folur nga Forumi i Sigurisë në Azi, ai tha gjithashtu se elementet e armatimeve kineze ishin vërejtur tek ato që Moska përdor kundër Ukrainës. Kina pretendon se nuk mban anën e asnjërës palë në luftën në Ukrainë, pozicion ku është vihet gjithmonë e më shumë në dyshim nga ana e SHBA. Pekini akuzohet se po ndihmon Moskën, duke dërguar përbërës armatimesh. Gjithashtu, ajo po i jep një dorë ekonomisë ruse duke blerë sasi të mëdha nafte dhe gazi, duke zbutur impaktin e sanksioneve të Perëndimit. 

“Fatkeqësisht, duke përdorur ndikimin e Kinës në rajon, duke përdorur diplomatët kinez, Rusia bën gjithçka për të penguar samitin e paqes. Një vend kaq i madh, i pavarur dhe i fuqishëm si Kina, është një instrument në duart e Putinit”, deklaroi Presidenti i Ukrainës. 

Zelensky bëri një shfaqje të papritur në forumin që po mbahet në Singapor e ku po marrin pjesë zyrtarë të lartë të mbrojtjes nga e gjithë bota, përfshirë shefin e Pentagonit Lloyd Austin dhe ministrin kinez të Mbrojtjes, Dong Jun. Gjatë një fjalimi ai falenderoi SHBA që kishte lejuar Kievin të përdorte sisteme raketore HIMARS ndaj obejektivëve rusë në Harkiv, por shtoi se kjo nuk mjaftonte.  

Me vizitën e tij, Zelensky synon të sigurojë më shumë mbështetje nga vendet aziatike. Përveç takimeve me liderët rajonalë, ai u bëri thirrje delegatëve të marrin pjesë në Samitin e Paqes në Zvicër që pritet të mbahet në fund të qershorit. Kievi ka thënë se ai do të fokusohet te garantimi i sigurisë bërthamore, siguria ushqimore dhe lirimi i të burgosurve të luftës dhe fëmijëve ukrainas që mbahen në Rusi.

106 vende kanë thënë se do të marrin pjesë, përfshirë edhe Shqipërinë, ndërsa Kina dhe Rusia nuk janë ftuar.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos