Kina “ultimatum” Rusisë! Scholz: Plani i paqes së Rusisë nuk është serioz

Nga Erjon Dervishi
15 Qershor 2024, 14:31 | Bota

Kancelari gjerman Olaf Scholz hodhi poshtë kërkesat e presidentit rus Vladimir Putin në të cilën i bën thirrje Ukrainës të tërhiqet nga katër rajonet në lindje tashmë të pushtuara nga Moska, si dhe të mos mos pranojë anëtarësimin në të ardhmen në NATO. Duke folur në mbyllje të samitit të liderëve të G-7 në Itali, Scholz tha se propozimi i Putinit nuk do të luajë asnjë rol në konferencën e paqes në Zvicër, e cila mbahet për Ukrainën.

"Ajo që ai po propozon është të formësojë bastisjen e tij imperialiste me dokumente. Ajo që na nevojitet nuk është një paqe diktatoriale, por një paqe e drejtë që fokusohet në integritetin dhe sovranitetin e Ukrainës. Dhe kjo është arsyeja pse konferenca e paqes po mbahet tani. Çështjet kryesore nuk janë vendosur ende atje, por janë duke u hedhur bazat për përparimin që duhet bërë edhe në një konferencë tjetër”.

Sakaq, Olaf Scholz, ka hedhur poshtë pretendimet se Gjermania nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës duke thënë se Gjermania "po bën punën e saj", ajo duhet "të sigurohet që ka një zgjidhje që funksionon për ekonominë, që mund ta menaxhoni nëse jeni kompani, nëse doni t'i shisni botës mallra dhe shërbime, dhe që në të njëjtën kohë përmbush pikërisht qëllimin me të cilin ne jemi të shqetësuar”.

Ndërkohë Kina i ka bërë thirrje Rusisë dhe Ukrainës "të takohen dhe "të fillojnë menjëherë bisedimet e paqes për të arritur një armëpushim dhe një fund të luftës". Kështu deklaroi zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Geng Shuang, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mbledhur me kërkesë të Rusisë në prag të samitit të paqes në Zvicër. Mediat Kineze raportojnë faktin se "qëndrimi i Kinës për çështjen e Ukrainës është konsistent dhe i qartë" dhe se do të vazhdojë "të mbajë komunikim të ngushtë me të gjitha palët".

Sakaq, Bashkimi Europian po mendon për organizimin e një tjetër samiti paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, këtë herë vendi pritës do të ishte Arabia Saudite. Në këtë samit mund të jetë pjesëmarrëse edhe Rusia. Këto fakte janë bërë të ditura nga mediat italiane duke cituar zyrtar të lartë europian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos