Televizioni shtetëror i Kinës ka publikuar një video ku prezantohet një armë e re që lëshohet nga një automjet dhe ndahet në disa filamente karboni, të cilat ndërpresin furnizimin me energji elektrike në transformatorë dhe nënstacione.
Në pamjet e shpërndara, bomba shpërbëhet dhe lëshon rreth 90 nënshtresa cilindrike. Këto cilindra karboni përhapen mbi tokë dhe më pas ngrihen sërish në ajër për t’u shpërndarë mbi një zonë të caktuar, duke krijuar një ‘blackout’ total pa shkaktuar dëme strukturore, shkruan A2 CNN.
Sipas South China Morning Post, kjo bombë ka një rreze veprimi prej 290 kilometrash dhe një mbushje me peshë rreth 490 kilogramë. Ekspertët ushtarakë kinezë theksojnë se në të ardhmen ‘bomba' pritet të përshtatet për raketat e lundrimit, duke krijuar efekte shkatërruese në rast lufte.
Chen Chundi, redaktor i revistës “Modern Ships”, thekson se kjo armë tashmë është operacionale për Ushtrinë Popullore të Kinës dhe mund të pajiset me një mekanizëm të veçantë drejtimi që korrigjon kursin e saj sipas kushteve të erës, duke e bërë edhe më precize.
Ky lloj armatimi, i njohur ndryshe si ‘bomba apagón’, synon që në luftërat moderne të paralizojë plotësisht infrastrukturën elektrike të zonave strategjike, pa shkaktuar humbje të drejtpërdrejta në njerëz apo ndërtesa. (A2 Televizion)