Kërcënimi i Donald Trump për të vendosur tarifa prej 30%ndaj produkteve të importuara europiane, praktikisht do të ndalonte tregtinë transoqeanike.
Kështu paralajmëroi kryenegciatori i BE me SHBA, Marosh Sefoviç. Në prag të një takimi të ministrave europianë të tregtisë ai tha se një tarifë prej 30 përqind apo më e lartë, do të kishte një impakt të madh, duke e bërë gati të pamundur vijimin e tregtisë mes vendeve të BE dhe Shteteve të bashkuara, e cila aktualisht kap vlerën e 4.4 miliardë dollarëve në ditë.
Duke shprehur zhgënjim, komisioneri i BE për tregtinë tha se ai dhe ekipi i tij negociues besonin se ishin pranë një marrëveshje, para se Trump të bënte njoftimin e beftë gjatë fundjavës.
“Ndjesia në palën tonë ishte se ishim shumë pranë një marrëveshje. Dua të them, po negocionim për të prej disa javësh dhe mendonim se ishim shumë pranë. Praktikisht një tarifë prej 30 përqind apo më shumë, ndalon tregtinë. Ka një impakt të jashtëzakonshëm, dhe do të ishte gati e pamundur të vijonim marrëdhënien transoqeanike si me parë”, tha Maros Sefcovic.
Ministrat e Tregtisë po shqyrtojnë masa të reja ndaj importeve prej 72 miliardë dollarësh të SHBA, në kundërpërgjigje të tarifave të reja të njoftuara nga Trump. Ministri i jashtëm i Danimarkës, i cili kryeson bisedimet tha se Europa nuk e do një luftë tregtare me SHBA, pasi do të ishte shkatërruese për të dyja palët.
Franca ndërkohë ka kërkuar një përshpejtim të përgatitjeve për kundërmasa të mundshme dhe ka kërkuar që Europa të jetë e gatshme për të përdorur një mekanizëm të pa testuar më herët, i cili parashikon masa ndëshkuese ndaj një vendi që përdor tregtinë si armë.
Gjermania flet në tone më të buta dhe kërkon një përgjigje pragmatike, ndërsa Italia paralajmëron kundër një lufte tregtare. Po ashtu vendet në Europën Qendrore dhe Lindore janë të shqetësuar se kundërmasat do të nxisin një tërheqje të mbështetjes ushtarake amerikane në Europë. (A2 Televizion)