“Ishte një gabim teknik”, raketa izraelite vret fëmijët që po prisnin të mbushnin ujë

Nga Rosalba Bejdo
14 Korrik 2025, 14:23 | Bota

10 persona, përfshirë 6 fëmijë u vranë nga sulmet ajrore izraelite teksa prisnin të mbushnin bidonat me ujë në qendër të Gazës.

Sipas burimeve spitalore, trupat e tyre u dërguan në spitalin e Nuseirat's al-Awda, bashkë me 16 qytetarë të tjerë të plagosur, mes të cilëve edhe 7 fëmijë. Dëshmitarë thanë se një dron izraelit kishte lëshuar një raketë tek turma e mbledhur me bidona të zbrazur pranë një cisterne uji në kampin e refugjatëve të al-Nuseirat, shkruan A2.

Ushtria izraelite e pranoi sulmin, duke thënë se një gabim teknik kishte ndodhur teksa shënjestronte një terrorist të Xhihadit Islamik, i cili, siç tha, kishte bërë që municionet të binin dhjetëra metra larg objektivit. Forcat e mbrojtjes izraelite thanë se ndjenin keqardhje për vrasjen e civilëve dhe se do të punonin për të minimizuar dëmet sa më shumë që të ishte e mundur.

Një zëdhënës i Agjencisë së Mbrojtjes Civile në Gaza bëri të ditur se 19 palestinezë të tjerë ishin vrarë të dielën në tre sulme ndaj godinave të banimit në Gazën qendrore dhe qytetin e Gazës.

Izraeli i ka përshkallëzuar sulmet ajrore rreth enklavës gjatë ditëve të fundit, pavarësisht përpjekjeve të shtuara në Katar për arritjen e një armëpushimi. Sipas zyrës së OKB për të drejtat e njeriut, gjatë javëve të fundit ishin regjistruar gati 790 vdekje të civilëve si pasojë e bombardimeve ajrore, 615 prej të cilëve pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmave.

Në total, 57 882 persona janë vrarë në Gaza që prej nisjes së luftës, e 90% e banesave thuhet të jenë dëmtuar ose shkatërruar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos