Tre muaj pa Kuvend, në pritje të takimit Kurti-Limaj

Nga Ideal Gola
14 Korrik 2025, 21:45 | Politikë

Tre muaj pas nisjes së seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kriza institucionale vijon pa një zgjidhje konkrete. Një takim i paralajmëruar mes Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt po shihet si mundësi për të thyer bllokadën. Megjithëse u tha se do pihet një kafe për të arritur një marrëveshje, aktualisht ende s’ka marrëveshje për të pirë kafenë.

Kriza politike dhe institucionale në Kosovë po pret një zgjidhje kur janë bërë 3 muaj nga nisja e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ndonëse po priten sqarime shtesë nga Gjykata Kushtetuese rreth një vendimi të saj të mëparshëm, një takim i radhës mes Albin Kurtit dhe Fatmir Limaj është paralajmëruar për këtë javë.

Gjatë së hënës nga Nisma thanë se ende nuk i kanë dërguar ftesë kreut të Vetëvendosjes por janë shprehur të bindur se takimi do të mbahet dhe do të shërbejë për diskutime për të gjetur zgjidhjen për ngërçin, shkruan A2 CNN.

Në vlerësimin e analistëve politikë, kjo mund të përkthehet edhe si lëvizje që Limaj të rishikojë kërkesat e tij.

“Jam i prirur më tepër të shoh që zotëri Limaj mund ta bëjë lëshimin e radhës me arsyetimin për të mos rrezikuar shtetin për moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe se ky takim që ftohet vetëm në funksion të alternativave dhe mundësisë të ndarjes së pushtetit”, tha Afrim Kasolli, analist.

Limaj, që mori tre deputetë nga lista e përbashkët me Aleancën e Ramush Haradinajt, kërkon postin e kryeparlamentarit për vete.

Për Kurtin kjo kërkesë është e lartë për faktin se në koalicion me të është edhe Lista Guxo që ka 6 deputetë dhe ka pranuar një tjetër formule për ndarjen e pushtetit.

“Nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme unë e shoh në një pozicion më të palakmueshëm zotin Limaj se z. Kurti dhe duket që e ka jetike t’i vazhdohet mandati këtij Kuvendi, t’i vazhdohet jetëgjatësia këtij Kuvendi në mënyrë që në përputhje me forcën e tij reale t’i realizojë edhe qëllimet politike”, tha Kasolli.

Edhe në rast një marrëveshjeje me Nismën, analistët mendojnë se duhen edhe vota të tjera që do të siguronin 61 votat e mjaftueshme edhe për votimin e Qeverisë.

“Është e mundur që të gjendet një rrugë zgjidhje por nuk mjaftojnë edhe tri votat e Nismës prandaj është e domosdoshme që së paku edhe dy vota të partive minoritare jo serbe të gjenden pashmangshëm në mënyrën që të sigurohen 61 votat e domosdoshme për zgjedhje të kryeparlamentarit”, u shpreh analisti.

Më 26 korrik përfundon afati i përcaktuar nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Një takim mes të gjithë liderëve politikë javë më parë nuk solli asnjë rezultat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos