Kina ka zbuluar një prej burimeve më të mëdha të arit të regjistruara ndonjëherë, në provincën Liaoning, të cilin autoritetet e kanë cilësuar si më të madhin që prej vitit 1949. Zbulimi, i bërë publik nga Ministria e Burimeve Natyrore të Kinës, vjen pas disa gjetjeve të tjera të rëndësishme gjatë muajve të fundit, por ky i fundit tejkalon çdo rekord.
Sipas të dhënave zyrtare, në nëntokën e zonës Dadonggou gjenden 1.444 ton ar i pastër, të përftuar nga rreth 2.586 milionë tonë mineral, me një pastërti mesatare prej 0.56 gram për ton. Me çmimin aktual të arit, i cili ka arritur nivele historike këtë vit, vlera totale e depozitës llogaritet rreth 166 miliardë euro, rreth 20 herë sa buxheti vjetor i Shqipërisë, shkruan A2 CNN.
Projekti i kërkimit dhe analizimit të strukturës minerale zgjati 15 muaj dhe u zhvillua nga Grupi Gjeologjik dhe Minerar i Liaoningut, duke përfshirë rreth një mijë ekspertë e teknikë. Ministria e përshkroi burimin si “ultra të madh” dhe të një ligji relativisht të ulët, por me sasi kolosale që e kthejnë në një aset strategjik kombëtar. Vendndodhja e saktë nuk është bërë publike, duke nxitur spekulime mbi arsyet strategjike.
China discovers its first 1,000-ton #gold deposit ????????
— Bridging News (@BridgingNews_) November 14, 2025
The Ministry of Natural Resources announced that China has identified the Dadonggou gold mine in eastern Liaoning — a super-large, low-grade deposit with 1,444.49 tons of gold. It’s the largest single gold deposit ever found… pic.twitter.com/avKJzxmDgc
Zbulimi vjen në një moment kur ari ka shënuar rritje të fortë prej mbi 50% këtë vit, duke e bërë atë një prej metaleve më të kërkuara globalisht. Vetëm në vitin 2024, Kina ka gjetur mbi 1.000 ton ar në rajonin e Hunanit, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e saj në eksplorimin e nëntokës. Ky zbulim e forcon edhe më tej pozitën e Pekinit si fuqi kryesore në tregun global të arit. (A2 Televizion)
