“Kisha, pishtar drite në errësirë”, Papa Leoni XIV mban meshën e parë me kardinalët

Nga Rosalba Bejdo
9 Maj 2025, 14:47 | Bota

Papa i ri, Leoni XIV, mbajti meshën e tij të parë me kardinalët në Kapelën Sistina të premten, një ditë pas u zgjodh në krye të Selisë së Shenjtë, duke u bërë Papa i parë amerikan në histori.

Robert Prevost, i lindur në Çikago, por me nënshtetësi të dyfishtë peruane, ku edhe ka shërbyer si misionar për një kohë të gjatë, e nisi fjalën e tij në anglisht për të vijuar më pas në latinisht. Mesazhi që përcolli ishte se kisha duhet të ndriçojë netët e errëta të kësaj bote: “Në një mënyrë të veçantë, Zoti më ka thirrur përmes zgjedhjes tuaj që të pasoj Princin e Apostujve, dhe më ka besuar këtë thesar, që, me ndihmën e tij, të mund të jem administratori i tij besnik për hir të tërë Trupit mistik të Kishës. Ai e ka bërë këtë për qëllim që ajo të jetë gjithnjë e më shumë një qytet i vendosur në majë të malit, një arkë shpëtimi që lundron përmes ujërave të historisë dhe një pishtar që ndriçon netët e errëta të këtij bote”.

Zgjedhja e papritur e amerikanit, erdhi në ditën e dytë të konklavës dhe në votimin e 4, duke bërë që tymi i bardhë të dilte nga oxhaku i Kapelës Sistina pas orës 18:00 të pasdites. Sipas analistëve, në prezantimin e tij të parë para botës nga ballkoni e Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa Leoni ofroi tre të dhëna të rëndësishme lidhur me llojin e udhëheqësit që do të jetë për 1,4 miliardë pjesëtarët e Kishës Katolike. 

Joshua McElee, korresponent i Vatikanit, tha: “E dhëna e parë lidhet me emrin që zgjodhi. I fundit papë që pati një emër të tillë njihej si Papa i punëtorëve. Ai ishte vërtet i shqetësuar për çështjet e padrejtësive sociale dhe mesazhe të njëjta pritet të përcjellë edhe Papa i ri. Një tjetër tregues i rëndësishëm ishte zgjedhja e tij për të folur në disa gjuhë: italisht dhe po ashtu në gjuhën spanjolle duke ju drejtuar dioqezës në Peru ku edhe ka shërbyer. E dhëna e tretë ishte zgjedhja e veshjes. Ndryshe nga Françesku që mbante vetëm veshjen e bardhë, Leoni XIV riktheu edhe pelerinën e kuqe duke sinjalizuar se pavarësisht se do të ndjekë hapat e Françeskut, ai do të ketë Papatin e tij dhe do të vendosë vetë se çfarë lloj Pape do të jetë”. 

Papa i ri trashëgon një sërë sfidash madhore që variojnë nga rënia e buxhetit tek ndasitë nëse Kisha do të jetë më mikpritëse ndaj komunitetit LGBTQ dhe të divorcuarve. Presidenti Donald Trump i përcolli urimet e tij Leonit XIV për faktin se u bë i pari Papë amerikan në histori dhe e cilësoi këtë një nder të madh për vendin. E megjithatë, 69-vjeçari ka kritikuar në të kaluarën politikat e Trumpit dhe zëvendësit të tij, J.D. Vance.  

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos