I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, teologu Justinian Topulli e cilësoi Izraelin si një shtet artificial dhe produkt të kolonializmit perëndimor.
“Është shtet artificial i krijuar si një shtet kolonial perëndimor”, u shpreh Topulli, duke theksuar se sipas tij krijimi i Izraelit nuk lidhet me një vazhdimësi të drejtpërdrejtë historike të popullsisë hebreje në territor.
Ai argumentoi se shumica e popullsisë që u vendos në Izrael ka ardhur nga vende të tjera, ndërsa banorët autoktonë kanë ndryshuar identitet fetar ndër shekuj. “Pjesa dërrmuese e atyre që kanë ardhur atje janë banorë që kanë jetuar në vende të tjera për qindra e mijëra vjet”, tha ai, duke shtuar se sipas disa interpretimeve, popullsitë vendase mund të kenë lidhje më të hershme historike me hebrenjtë.
Duke folur për zionismin, Topulli u shpreh: “Zionismi është një doktrinë nacionaliste që lindi kur lindën nacionalizmat në botë, për të krijuar një komb mbi bazë identiteti fetar dhe etnokulturor.”
Ai theksoi gjithashtu rolin e mbështetjes ndërkombëtare në krijimin e shtetit izraelit. “Ata që e motivuan fillimisht nuk ishin hebrenjtë, por të krishterët, të ashtuquajturit kristianë zionistë”, deklaroi ai, duke iu referuar edhe qëndrimeve të shprehura ndër vite nga liderë izraelitë si Benjamin Netanyahu.
Në vijim, ai e cilësoi si të paprecedentë në histori krijimin e një shteti mbi bazën e rikthimit të një popullsie të shpërndarë prej shekujsh. “Kjo është absurde. Nuk ka ndodhur në historinë e njerëzimit që një popullsi e shpërndarë të mblidhet dhe të krijojë një shtet mbi pretendime kaq të vjetra”, tha Topulli.
Në përfundim, teologu mbajti një qëndrim kritik edhe ndaj legjitimitetit të Izraelit. “Është një shtet kolonial i vendosur për interesa gjeopolitike, fetare dhe strategjike. Nuk ka të drejtë ndërkombëtare për ekzistencën e tij”, u shpreh ai. (A2 Televizion)