Të tjera fakte kanë dalë në dritë në lidhje me arrestimet në Angli ndaj një grupi komplotistësh që dyshohet se do sulmonin bazën ajrore amerikane në Angli. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se pesë personat e arrestuar nën dyshimin për një komplot terrorist janë të gjithë shtetas britanikë, por pyetjet kryesore rreth incidentit - veçanërisht motivi - mbeten pa përgjigje.
Të pestë janë banorë të Londrës dhe janë të moshës midis 23 dhe 25 vjeç, sipas një deklarate nga policia kundër terrorizmit, e cila foli për "pista të shumta të reja hetimi".
Personat, të cilët nuk janë identifikuar, u arrestuan të dielën në mëngjes pranë bazës në Fairford në Anglinë perëndimore, nga ku bombarduesit amerikanë B-1 kanë kryer misione kundër Iranit.
“Ky është një operacion jashtëzakonisht kompleks dhe në shkallë të gjerë”, tha të hënën Vicki Evans, një oficere e lartë kundër terrorizmit, duke kërkuar që hetuesve t’u “jepet hapësira” për të vazhduar punën e tyre. Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar nuk kanë zbuluar se ku po mbahen burrat, as çfarë është gjetur në tre furgonë të bardhë që duket se kanë përdorur burrat. I pyetur nëse një shtet i huaj armiqësor mund të ketë qenë pas incidentit, Ministri Britanik i Mbrojtjes Wes Streeting tha të hënën se nuk “dëshironte të spekulonte në këtë fazë të hetimit”.
Nga ana e saj, Ambasada iraniane në Londër ka deklaruar se "i hedh poshtë kategorikisht" spekulimet që e lidhin vendin me arrestimin e pesë personave pranë bazës RAF Fairford. Në një deklaratë të publikuar në platformën X, ambasada shkruan se "i dënon ashpër spekulimet e fundit të pabaza dhe keqdashëse, të publikuara nga disa individë dhe media britanike".
Ajo shton: "Përhapja e spekulimeve të tilla të fabrikuara, veçanërisht pas akteve kriminale të agresionit të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe regjimi izraelit kundër popullit iranian, nuk do të shërbejë për asgjë tjetër veçse për të nxitur propagandën e iranofobisë në Mbretërinë e Bashkuar". Garada Revolucionare kishte paralajmëruar Londrën në korrik se nëse do të lejonte përdorimin e bazës, ajo do të konsiderohej shënjestër e ligjshme. (A2 Televizion)