Rusia është e përgatitur për një luftë me Europën, por nuk e dëshiron një të tillë. Këto janë fjalët e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili paralajmëroi se shpërthimi i një konflikti do të krijonte një situatë në të cilën nuk do të kishte fitues.
“Para së gjithash, ne jemi të përgatitur. Por ne nuk duam luftë me Europën. Nëse disa prej tyre e dëshirojnë një gjë të tillë, le të përgatiten. Megjithatë, ata nuk ia kanë dalë të arrijnë objektivin e tyre për t’i shkaktuar Rusisë një disfatë strategjike dhe ka pak gjasa që të jenë në gjendje ta arrijnë këtë objektiv edhe deri në vitin 2030. Nëse situata shkon shumë larg, nuk do të ketë fitues. Askush të mos e harrojë këtë”, tha Putin, përcjell A2 CNN.
Teksa komentoi telefonatën e zhvilluar më herët gjatë javës me udhëheqësit e Norvegjisë dhe Finlandës, Putin tha se mirëpret çdo hap që synon rivendosjen e marrëdhënieve me shtetet europiane.
“Siç kam theksuar gjithmonë, ne mbështesim çdo hap që synon rivendosjen e marrëdhënieve të plota dhe normale me vendet europiane, qoftë me të gjitha së bashku, në kuadër të Bashkimit Europian, apo në baza dypalëshe. Si të dëshirojnë ata”, shtoi presidenti rus.
Putin shtoi se presidenti finlandez Alexander Stubb dhe kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre kishin bërë mirë që kishin zhvilluar telefonatën, pavarësisht kritikave nga disa kryeqytete europiane, sipas të cilave të dy liderët po devijonin nga qëndrimi i përbashkët europian duke vendosur kontakte me Moskën.
Ai tha se Rusia nuk dëshiron asnjë pengesë për lundrimin në Detin Baltik, duke paralajmëruar se kufizimi i komunikimit mund të çojë në një situatë të ngjashme me atë të krijuar në Ngushticën e Hormuzit që prej shpërthimit të konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit në muajin shkurt. (A2 Televizion)