Sherr me grushte dhe karrige në Parlamentin e Armenisë pas debatit mbi “Ministrinë e Seksit”

Nga A2 CNN
30 Tetor 2026, 09:23 | Bota

Sherr me grushte dhe karrige në Parlamentin e Armenisë pas debatit mbi

Debati politik për një propozim të pazakontë të opozitës për krijimin e një “Ministrie të Seksit” përfundoi në dhunë, me grushte, shkelma dhe karrige të hedhura në Parlamentin e Armenisë.

Incidenti ndodhi të enjten, gjatë një seance parlamentare, pas një përplasjeje verbale mes deputetit të mazhorancës, Taron Chakhoyan, nga partia Kontrata Civile, dhe përfaqësuesve të partisë opozitare Armenia e Fortë, shkruan A2 CNN.

Kjo e fundit kishte propozuar më herët gjatë vitit krijimin e një ministrie të re, e cila, sipas pretendimit të saj, do të garantonte që të mos kishte “asnjë grua të pakënaqur” në vend. Opozita e kishte lidhur këtë nismë me rritjen e aktivizmit politik të grave të moshës së mesme, duke pretenduar se një prej shkaqeve ishte pakënaqësia seksuale.

Gjatë debatit, Chakhoyan akuzoi opozitën për korrupsion dhe kërkoi që drejtuesi i saj, Narek Karapetyan, t'u kërkonte falje grave për këtë propozim. Shkëmbimi i akuzave u përshkallëzua shpejt në përplasje fizike.

Deputetët u ngritën nga vendet dhe iu drejtuan foltores, ku po fliste Chakhoyan. Zëvendëskryetari i Parlamentit, Vahagn Aleksanyan, hodhi një karrige drejt deputetëve të opozitës, ndërsa Chakhoyan u pa duke i hedhur ujë deputetit opozitar Garnik Davtyan. Në sallë u hodhën gjithashtu shishe dhe u dëmtuan tavolina.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan, dënoi dhunën, por deklaroi se mbështeste veprimet e deputetëve të mazhorancës. Madje, ai e cilësoi reagimin si të drejtë dhe proporcional, pavarësisht mjeteve të përdorura.

As ndërprerja e seancës nuk e qetësoi situatën. Sipas mediave lokale, përplasjet vijuan edhe në korridoret e Parlamentit, ku forcat e sigurisë u detyruan të krijonin një kordon njerëzor për të ndarë palët. Disa deputetë u larguan me plagë dhe rroba të grisura.

Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se deri në atë moment nuk kishte informacion për nisjen e procedimeve penale lidhur me incidentin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos