Sekretari i Shtetit Marco Rubio u përpoq të siguronte aleatët europianë, mes konfuzionit që kanë shkaktuar një sërë vendimesh kontradiktore të administratës Trump sa i përket trupave në Europë. Gjatë fjalës së tij në përfundim të samitit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Suedi, Rubio theksoi se Shtetet e Bashkuara po rishikonin praninë ushtarake rreth botës dhe se vendimet mbi pozicionimin e trupave ishin teknike dhe jo politike… Disa trupa amerikane janë aktualisht të angazhuara në Lindjen e Mesme, në vazhdën e luftës me Iranin.
“Para së gjithash, Shtetet e Bashkuara kanë angazhime globale për forcat e tyre ushtarake. Prandaj ne jemi vazhdimisht duke rivlerësuar se ku po i pozicionojmë trupat. Nuk është një vendimmarrje e papritur. Është një proces që vazhdon prej kohësh, ku janë përfshirë edhe vende të tjera dhe kontributet që ato mund të japin. Kjo na lejon të organizojmë më mirë praninë ushtarake, për shembull në rast të një konflikti real në vijën e frontit. Por, sërish, e gjithë kjo është punë teknike që po kryhet nga ushtarakët. Nuk janë vendime politike”, tha Marc Rubio.
Sekretari i Shtetit shtoi më tej se e kuptonte që NATO ishte e vlefshme për Europën, se duhet të jetë e tillë edhe për Shtetet e Bashkuara. Rubio shtoi më tej se e kuptonte që aleanca ishte shumë e vlefshme për Europën, por se duhej të ishte e tillë edhe për SHBA.
Deklarata e Rubios erdhi pasi Donald Trump njoftoi se do të dërgonte 5 mijë trupa shtesë në Poloni. Vendimi vjen një javë pasi një dislokim i planifikuar prej 4 mijë trupash në vend u anulua dhe disa ditë pasi SHBA njoftoi se do të tërhiqte 5 mijë ushtarë nga Gjermania. Këto lëvizje kanë shkaktuar konfuzion mes aleatëve përtej oqeanit të aleancës mbrojtëse.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se vendimi bazohej në marrëdhënien e mirë që ai kishte me presidentin polak Karol Nawrocki, të cilin e mbështeti edhe gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar. Ndërkohë, vendimi për të larguar 5 mijë trupa nga Gjermania, i njoftuar më herët gjatë muajit, erdhi mes përplasjes së Trump me kancelarin Friedrich Merz për shkak të luftës në Iran. Nuk është e qartë nëse trupat shtesë që do të dërgohen në Poloni do të jenë nga ushtarët e tërhequr nga Gjermania.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, u tha gazetarëve se prirja që Europa të bëhet më pak e varur nga Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojë”.
(A2 Televizion)