Pasi ishin vetëm një hap larg luftës, zgjidhja diplomatike shfaqet sërish në horizont mes SHBA dhe Iranit.
Marco Rubio u shpreh se: “Është shënuar progres. Nuk do ta ekzagjeroj e as minimizoj… Ka ende punë për të bërë, por ka progres dhe ky është sinjal i mirë…”
Deklarata e sekretarit të shtetit vjen teksa mediat arabe raportojnë se drafti final i një marrëveshjeje të mundshme mes Iranit dhe SHBA, e ndërmjetësuar nga Pakistani, mund të njoftohet gjatë orëve në vazhdim. Pikat kyçe të ujdisë, siç thuhet, përfshijnë ndër të tjera një armëpushim të menjëhershëm në të gjitha frontet, garancinë e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, krijimin e një mekanizmi të përbashkët për të monitoruar situatën dhe heqjen graduale të sanksioneve amerikane.
Sipas Al Arabia, programi bërthamor nuk përmendet. Media e Emirateve të Bashkuara pretendon se draft-marrëveshja do të publikohet së shpejti dhe mund të hyjë në fuqi menjëherë pas njoftimit zyrtar nga të dyja palët.
E ndërsa bisedimet vazhdojnë, një delegacion i Katarit ka mbërritur në Teheran në koordinim me Shtetet e Bashkuara për të kontribuar në përpjekjet e finalizimit të marrëveshjes. Po ashtu, raportohet se edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, ka mbërritur në kryeqytetin iranian këtë të premte për bisedime me autoritetet në vend.
Gjatë pjesëmarrjes në një aktivitet, presidenti Trump tha se Irani po kërkonte dëshpërimisht një ujdi dhe se do të shihnin çfarë do të ndodhte.
(A2 Televizion)