Koreja e Jugut kalon ligjin që ndalon tregtinë dhe konsumimin e mishit të qenit

Nga A2 CNN
9 Janar 2024, 16:31 | Bota

Koreja e Jugut kalon ligjin që ndalon tregtinë dhe konsumimin e mishit

Therja e qenve për konsumimin e mishit të tyre do të jetë shumë shpejt një akt i paligjshëm në Korenë e Jugut.

Ligjvënësit në vend votuan një ligj që do të ndalojë therjen dhe shitjen e qenve për mish, i cili pritet të hyjë në fuqi në vitin 2027. Synimi i këtij ligji është që të ndalojë këtë praktikë që ekziston në Korenë e Jugut prej shekujsh.

Supa me mish qeni e quajtur në gjuhën vendase "boshintang" preferohet në masë nga të moshuarit në Korenë e Jugut, por kjo pjatë nuk po pëlqehet nga të rinjtë.

Dhe, tashmë me ligjin e ri, konsumimi i mishit të qenit do të konsiderohet i paligjshëm. Sipas një sondazhi të Gallup, të organizuar vitin e shkuar, vetëm 8% e njerëzve në vend kanë deklaruar se kanë provuar mish qeni në 12 muajt e kaluar, më pak se 27% që ishin regjistruar në 2015.

Më pak se një e pesta e atyre që morën pjesë në sondazh kanë pranuar se e mbështesin konsumimin e mishit të qenit.

Sipas ligjit të ri, ata që dënohen për tregti të mishit të qenit mund të përballen me mbi 3 vite burg, ndërsa ata që shpallen fajtorë për rritje të qenve për mish, apo për shitjen e tyre për këto qëllime, mund të përballen me maksimumi dy vite burg.

Ndërkohë, fermerët dhe pronarët e restoranteve që shërbejnë mish qeni kanë tre vite kohë për të gjetur burime alternative punësimi dhe të ardhurash përpara se ligji të hyjë në fuqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos