Koreja e Veriut dhe SHBA mund “të shkojnë mirë”, Kim Jong Un “ul gjakrat” me Trump

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2026, 11:48 | Bota

Kim Jong Un synon zgjerimin e arsenalit bërthamor dhe rrezes operacionale të Koresë së Veriut, duke i bërë thirrje SHBA-së që të respektojë fuqinë bërthamore të vendit të tij. Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut mund “të shkojnë mirë”, shtoi Kim, por vetëm nëse SHBA pranon se armët bërthamore të Koresë së Veriut janë të pacenueshme, shkruan A2 CNN.

Komentet e tij shihen si një derë e hapur për bisedime me presidentin amerikan Donald Trump, përpara vizitës së Trump në Kinë në muajin prill.

Megjithatë, Kim shuan shpresat për një zbutje diplomatike me Korenë e Jugut, duke e quajtur atë “entiteti më armiqësor”. Nëse Uashingtoni “respekton pozicionin tonë aktual, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe tërheq politikën e tij armiqësore, nuk ka arsye pse të mos shkojmë mirë me Shtetet e Bashkuara”, tha Kim në Kongresin e Nëntë të Partisë së Punëtorëve të Koresë, sipas medias shtetërore KCNA.

Gjendja e ardhshme e marrëdhënieve SHBA–Kore e Veriut “varet plotësisht nga qëndrimi i SHBA-së”, theksoi Kim. “Qoftë bashkëjetesë paqësore apo përballje e përhershme, ne jemi të gatshëm për të dyja, dhe zgjedhja nuk është në dorën tonë”.

Kim theksoi gjithashtu programin bërthamor të vendit, duke deklaruar: “Do të fokusohemi në projekte për të rritur numrin e armëve bërthamore dhe për të zgjeruar mjetet operacionale bërthamore”.

Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare afatgjata, Koreja e Veriut ka vazhduar të zhvillojë kapacitetet e saj bërthamore, duke testuar rregullisht raketa ndërkontinentale të ndaluara. Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI), një institut i pavarur kërkimor, vlerësoi vitin e kaluar se Koreja e Veriut ka rreth 50 koka bërthamore të montuara dhe material të mjaftueshëm për të prodhuar deri në 40 të tjera. “Koncepti i ‘çarmatosjes bërthamore’ tashmë e ka humbur kuptimin. Ne jemi bërë një shtet bërthamor”, u tha ai deputetëve në shtator. “Kur them ‘çarmatosje bërthamore’, është gjëja e fundit, e fundit që mund të prisni nga ne”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos