Kritik i ndihmave në Ukrainë, Vance frikëson Europën, paralajmërohet luftë tregtare

Nga Rosalba Bejdo
17 Korrik 2024, 14:11 | Bota

Zgjedhja e JD Vance si kandidat për zv.president nga Donald Trump, ka shtuar edhe më shumë pasiguritë e politikanëve dhe diplomatëve europian, të përgatitur tashmë për ndryshime në marrëdhëniet me SHBA, në rastin e ardhjes së Trump në pushtet.

Një kritik i zëshëm i ndihmave në Ukrainë, Vance deklaroi gjatë konferencës së sigurisë në Mynih të këtij viti se Europa duhet të ‘zgjohet’ pasi SHBA të devijojë fokusin e vet tek Azia lindore.

“Mburoja e sigurisë amerikane ka lejuar atrofizimin e sigurisë europiane.”

Disa ditë para nisjes së luftës ruse në shkurt të 2022, Vance tha në një podcast se nuk i interesonte ajo që ndodhte në këtë vend.

Ai po ashtu ka pasur një rol kyç në shtyrjen e paketës së ndihmave prej 60 miliardë dollarësh në kongres. Por ndërsa Zelenski ka thënë se do të jetë në gjendje të gjejë gjuhën e përbashkët me Trump, ne rastin se vjen në Shtëpinë e Bardhë, pyetja që ngrihet është në çfarë përmase, Vance do të ndikojë në vendimet e shefit të tij.

Një diplomat i BE tha se pas 4 vitesh udhëheqje të Trump, askush nuk ishte më naiv.

“Ne e kuptojmë se çfarë nënkupton nëse Trump rikthehet  si president për një mandat të dytë, pavarësisht se kush është kandidati i tij për zv.president.”

Nils Schmid, një deputet i partisë së Olaf Shcolz në Gjermani tha për BBC se ai kishte besim që presidenca republikane do të vijonte ta mbante Amerikën brenda NATO-s. E megjithatë ai paralajmëroi për një raund të ri, luftërash tregtare me SHBA nën presidencën Trump.

Një konfrontim i ri tregtar me SHBA, do të kishte pasoja të rënda për shumicën e kryeqyteteve europiane.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos