“Krimea si Kosova”, Lavrov kërkon shpagim por harron krimet serbe

Nga Erjon Dervishi
15 Tetor 2025, 23:37 | Politikë

Kosova është vënë përsëri në qendër të vëmendjes nga politika e lartë ruse. Është Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergey Lavrov, i cili në një intervistë për median ruse “Komersant” tha se Perëndimi u përpoq të “asgjësonte” popullin rus në Ukrainë pas grushtit të shtetit të vitit 2014, me të njëjtën mënyrë siç i mori Serbisë Kosovën.

Lavrov iu referua samitit të presidentëve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara në Alaska, në të cilin Donald Trump dhe Vladimir Putin diskutuan shkaqet rrënjësore të konfliktit ruso-ukrainas, shkruan A2.

“E dini, ata donin t’ua merrnin Kosovën serbëve. Dhe e bënë këtë duke organizuar një grusht shteti në vitin 2008, sepse njohja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës shkeli rëndë të gjitha dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila përcaktonte parametrat e shtetësisë serbe, përfshirë edhe Kosovën”, tha Lavrov.

“Duke e njohur Kosovën ata kryen një grusht shteti, u morën serbëve tokat e tyre historike, të cilat lidhen me lindjen e fesë ortodokse të të gjithë popullit serb dhe shumë më tepër”, shtoi ai.

Lavrov përpiqet të bëjë një analogji me zhvillimet në Krime të cilën Rusia e aneksoi në mënyrë arbitrare në vitin 2014.

"Pastaj ata vendosën të fshijnë historinë e popullit të Krimesë, Donbasit dhe Novorossisë", shpjegoi Lavrov, duke kujtuar se regjimi i Kievit i kishte shpallur ata "antinjerëzorë".

Lavrov nuk përmend faktin se Serbia kreu një dhunë represive në kufijtë e genocidid në Kosovë, duke detyruar mijëra persona të shpërngulen nga vatrat e tyre. Edhe sot janë me qindra trupa të pagjetura në Kosovë të cilat dëshmojnë për luftën çnjerëzore që ushtria e Millosheviçit kreu në Kosovë.

E drejta e vetëvendosjes është një e drejtë e patjetërsueshme, por për shefin e diplomacisë ruse, njeriun që ka drejtuar këtë post për më shumë se 15 vite, rusët në Krime nuk e shkelën parimin e territorit të një shteti tjetër. Por, fajësoi Perëndimin për qëndrim të padrjetë.

"Kur Perëndimi pati nevojë, ata e njohën Kosovën. Supozohej se ajo përfaqësonte të drejtën për vetëvendosje. Por, askush nuk mbajti një referendum për vetëvendosje atje. Dhe pastaj, disa vjet më vonë, u mbajt një referendum në Krime. Dhe jo, thanë ata, ne (Rusia) shkelëm integritetin territorial (të Ukrainës). Po të drejtën për vetëvendosje? Siç thonë, është diçka tjetër. Janë standarde të dyfishta, manipulim parimesh", tha ministri i Jashtëm rus. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos