Këshilli i Legjislacionit nisi shqyrtimin e kërkesës së demokratëve për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Pavarësisht akuzave të forta në letër, mbledhja u zhvillua në tone të qeta, me socialistët që e cilësuan procedurën të pabazuar, ndërsa opozita mbrojti qëndrimin se Peleshi ka shkelur rregullat e funksionimit parlamentar duke ndërprerë seancat plenare.
Këshilli i Legjislacionit vijoi me shqyrtimin e kërkesës së demokratëve për të shkarkuar edhe Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Pavarësisht se shkresa përmbante akuza të rënda ndaj kryeparlamentarit, mbledhja u zhvillua në nota të qeta, ku demokratët riparashtruan qëndrimin që, sipas tyre, Peleshi duhet shkarkuar.
Ivi Kaso u shpreh: “Dhunoi interesin qytetar duke i mohuar qytetarëve të drejtën që të njihet me vizionin e një qeverie. Kërkojmë praktikisht Kuvendit të Shqipërisë Shkakrimin e kryetari”.
Tonet e qeta ishin edhe për faktin se fjalët e hedhura në letër të demokratëve, nuk kishin dhënë asnjë impakt te socialistët, të cilët e thanë qartë se kërkesa e opozitës do të rrëzohet: “Pretendimi nuk qëndron dhe duhet rrëzuar. Në mungesë normale të rendit të zhvillimit të një seance, automatikisht prevalon rregulli”.
Mes qëndrimeve të kundërta, një këshilli i erdhi opozitës. Xhafaj theksoi: “Shumë miqësisht, jua them shumë sinqerisht, ju bëni çfarë të doni me atë sallë, por nga përvoja ime askush nuk ka përfituar nëse ka tentuar ta përmbusë atë sallë, askush nuk ka fituar nga zhurma dhe rrëmuja, përkundrazi, edhe kur ne kemi tentuar ndonjëherë ta bëjmë në opozitë ka qenë kosto e madhe për ne, e kemi paguar te elektorati. Nuk dyshoj dhe kemi mbetur në opozitë. Ju po bëni fiks atë gabim që kemi bërë edhe ne”.
Përfundimi i procedurës parlamentare u shty për një mbledhje tjetër, pas opozita kërkoi më shumë kohë për të hartuar raportin që do t’i përcjellë seancës plenare. (A2 Televizion)