
Kur 36-vjeçari Yegor Sabinich më në fund u këndell pas një nate duke pirë me miqtë në Petrozavodsk, një qytet në veri të Rusisë, ai mendoi se ndodhej në një qendër detoksifikimi. Më vonë, ai kuptoi se në të vërtetë ishte në një zyrë rekrutimi ushtarak.
Babai i katër fëmijëve thuhet se ishte ndaluar nga policia dhe, ndërsa ishte i dehur, pavetëdijshëm kishte nënshkruar kontratë të detyrueshme me ushtrinë.
“Ai u mashtrua”, tha një i afërm për Radion Evropa e Lirë (REL). “Jam i sigurt se nuk kishte asnjë ide se çfarë po nënshkruante”.
Grupet ruse për të drejtat e njeriut thonë se raste të tilla po bëhen më të zakonshme, pasi thuhet burra të dehur po detyrohen ose mashtrohen për të nënshkruar kontrata ushtarake, përcjell A2.
Sergei Krivenko nga grupi rus për të drejtat e njeriut, Qytetari dhe Ushtria, i tha REL-it se organizata e tij po e pranon një numër në rritje raportimesh të tilla.
“Ose ata [rekrutuesit] nënshkruajnë në vend të tij kur ai është i dehur, për shembull duke ia lëvizur dorën për të nënshkruar apo diçka e tillë, ose e bindin ta bëjë këtë”, tha ai.
“Pastaj, sapo ai të këndellet, rekrutuesi i thotë: ‘Shiko, ke nënshkruar, kaq ishte. Tani të pret ose zyra e rekrutimit ose burgu. Eja me mua, përndryshe do të shkosh në burg’” shtoi Krivenko.
Raportohet se ushtria ruse po përballet me mungesë të ushtarëve.
“Shkalla e humbjeve të Rusisë e tejkaloi atë të rekrutimit në janar 2026 pas viteve gjatë të cilave shkalla e rekrutimit e Rusisë përmbushte vazhdimisht pragjet e zëvendësimit”, tha Instituti për Studimin e Luftës.
Qëkurse e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, Moska ka shpallur publikisht mobilizim të pjesshëm në nivel kombëtar vetëm një herë, në vitin 2022. Por, për shkak se dekreti nuk u shfuqizua kurrë zyrtarisht, Kremlini ka vazhduar të plotësojë forcat e tij përmes fushatave të vazhdueshme të rekrutimit.
Rekrutimi ka përfshirë të burgosur, persona nën hetim penal dhe shtetas të huaj.
Derisa disa ushtarë me kontratë joshen nga pagat dhe bonuset e larta, grupet për të drejtat e njeriut thonë se detyrimi po përdoret gjithnjë e më shumë, përfshirë trysninë psikologjike dhe fizike ndaj rekrutëve dhe ushtarëve në shërbim për të nënshkruar kontrata pa afat.
Një avokat vendas, i cili kërkoi të mbetet anonim, i tha REL-it se policia ndonjëherë u paraqet kontrata personave të dehur nën pretekste të rrejshme.
“Në disa raste, një polic i jep një kontratë një personi të dehur dhe i thotë se është konfirmim i një kontrolli. Personi e nënshkruan dhe më vonë zbulon se është regjistruar”, tha avokati.
Ai shtoi se ka paraqitur ankesa në gjykata dhe prokurori në disa raste të tilla.
“Edhe nëse nuk është nënshkruar nga vetë personi, deri sa ta dëshmosh këtë, ai mund të ketë vdekur disa herë në luftë”, tha ai.
Alkooli, droga dhe bixhozi
Thuhet gjithashtu se ka rekrutë që përballen me varësi nga alkooli, droga dhe bixhozi.
“Situata po bëhet gjithnjë e më e trishtueshme çdo vit”, tha për REL-in analisti ushtarak Aleksei Alshansky nga projekti, Lamtumirë Armëve!
“Kjo është zhvendosur nga qytetet e mëdha drejt fshatrave, vendbanimeve dhe zonave rurale. Atje, forcat e sigurisë - duke përdorur polici ose furgon të Komitetit Hetimor - qarkullojnë duke ndjekur lista të përpiluara nga autoritetet vendase, duke kërkuar posaçërisht persona me varësi nga alkooli”, tha ai.
Rekrutimi përmes parave po bëhet gjithnjë e më i vështirë, thonë grupet për të drejtat e njeriut. Kjo është arsyeja pse rekrutuesit, për të përmbushur kuotat, madje rekrutojnë edhe persona me varësi nga alkooli, sepse marrin bonuse për çdo person që sjellin.
“Cilësia po bie gjithashtu: Oficerët e rekrutimit tani ankohen për alkoolikë, përdorues droge dhe njerëz në varfëri të skajshme”, shkroi në shkurt Nigel Gould-Davies nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike.
“Udhëheqjes ushtarake ruse i duhet mish për top, jo ushtarë të kualifikuar”, tha për REL-in Pavel Luzin, ekspert ushtarak rus në Shkollën Fletcher.
Duke pasur parasysh mungesën e popullaritetit të një mobilizimi të ri, Kremlini pritet të shmangë shpalljen formale të një të tilli, dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka këmbëngulur se Rusia nuk po planifikon një të tillë.
“Diskutimi kryesor në mesin e udhëheqjes ushtarake ruse nuk është për një valë tjetër mobilizimi të pjesshëm, por për përqendrimin e të gjitha burimeve të disponueshme në luftë”, tha Luzin.
“Në fakt, diskutimi ka të bëjë me një model totalitar administrativ-komandues dhe dizajnin institucional të nevojshëm për të”, shtoi ai./ REL (A2 Televizion)