
Ushtria amerikane ka realizuar një nga operacionet më të rrezikshme të viteve të fundit, duke shpëtuar një anëtar të ekuipazhit të një avioni luftarak të rrëzuar në një zonë të thellë malore në Iran.
Sipas deklaratës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, piloti u nxor i plagosur rëndë nga “thellësia e maleve të Iranit”, pas një misioni kompleks kërkim-shpëtimi.
Ngjarja nisi të premten, kur një avion luftarak F-15E Strike Eagle u rrëzua në jug të Iranit, rasti i parë në mbi 20 vite që një avion amerikan goditet nga zjarri armik. Dy ushtarakët në bord u hodhën me parashutë; piloti u gjet shpejt, ndërsa oficeri i sistemeve të armëve mbeti i zhdukur.
I plagosur dhe i pajisur vetëm me një pistoletë, pajisje komunikimi dhe sinjalizues, ushtaraku arriti të fshihej në një çarje mali. Ai kufizoi përdorimin e sinjalit për të shmangur zbulimin nga forcat iraniane, të cilat kishin nisur një kërkim intensiv dhe madje kishin vendosur shpërblim për kapjen e tij.
Për më shumë se një ditë, ai arriti t’i shpëtonte kapjes, duke u zhvendosur në terren të thyer malor dhe duke ndjekur procedurat e mbijetesës për situata të tilla.
Ndërkohë, SHBA nisi një operacion të gjerë që përfshinte qindra trupa, përfshirë forcat elitare si Delta Force dhe SEAL Team Six, si dhe agjentë të CIA.
CIA zhvilloi edhe një operacion mashtrimi, duke përhapur informacione të rreme se të dy anëtarët e ekuipazhit ishin shpëtuar, me qëllim çorientimin e forcave iraniane.
Në momentin vendimtar, komando amerikane u futën në zonë, ndërsa avionët luftarakë kryen goditje për të mbajtur larg forcat armike. Oficeri u lokalizua në një zonë malore dhe u nxor në siguri.
Gjatë operacionit u hasën edhe vështirësi të mëdha. Dy avionë transporti specialë MC-130J që kishin qenë në pritje për të nxjerrë komandot dhe pilotin e shpëtuar nga vendi u dëmtuan dhe u shkatërruan nga vetë forcat amerikane për të mos rënë në duart e Iranit.
Ushtria vendosi të dërgonte aeroplanë të rinj dhe të hidhte në erë ata të dëmtuarit, në vend që të merrte rrezikun që ata të binin në duart e Iranit.
Presidenti Donald Trump, i cili ndoqi operacionin nga Shtëpia e Bardhë, e cilësoi atë si “një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit në historinë e SHBA-së”. (A2 Televizion)