Gjykata e Fierit pranon parashkrimin e dënimit, 29 vite në arrati, Sokol Hoxha shpëton nga burgu në Shqipëri

Nga Anesti Barjamemaj
12 Tetor 2026, 19:05 | Kronikë

Ekstradimi i bujshëm i Sokol Hoxhës nga SHBA-ja, pas 29 vitesh në arrati, ka marrë një tjetër rrjedhë.

51-vjeçari i ka shpëtuar vuajtjes së dënimit në Shqipëri, pasi ka qëndruar në arrati për më shumë se 29 vjet.

Pas mbërritjes në Gjykatën e Fierit, ku duhej të vuante dënimin me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në vitin 1997, Hoxha kërkoi lirimin me argumentin se dënimi ishte parashkruar. Trupa gjykuese e pranoi kërkesën e tij, me një vendim për të cilin edhe Prokuroria kishte mbajtur të njëjtin qëndrim.

Megjithatë, Sokol Hoxha do të vijojë të qëndrojë në burg, në zbatim të dënimit të dhënë nga autoritetet belge. Në Belgjikë, ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e shqiptares Brunilda Dervishi, po në vitin 1997, pasi ishte arratisur nga Shqipëria. Vendimi ka marrë formë të prerë në vitin 2010.

Një muaj më parë, Sokol Hoxha u ekstradua nga SHBA-ja drejt Shqipërisë, në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve në vitin 1997, në Patos.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos