“Më dëgjo mirë, po i lë njerëzit pa bukë”, kryebashkiaku i Nju Jorkut sfidon hapur presidentin amerikan

Nga Xhevahir Qardaku
5 Nëntor 2025, 20:31 | Bota

Pasi festoi fitoren duke iu drejtuar presidentit amerikan ta dëgjojë mirë, lëshoi sërish një tjetër mesazh drejtuar Donald Trump.

Kryebashkiaku i zgjedhur i qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, sfidoi hapur kreun e Shtëpisë së Bardhë në çështjen që ka ndezur mbarë popullatën amerikane: për një jetë të përballueshme me çmime të lira.

“Ai është një president që udhëhoqi një fushatë me premtime për çmime ushqimesh më të lira dhe tani, ai ka ndërprerë benefitet ushqimore për familjet me të ardhura të ulëta, duke prekur 2 milionë njujorkezë. Ai po e bën më të vështirë përballimin e të njëjtave ushqime, çmimin e të cilave ai e kritikonte jo shumë kohë më parë”, tha Zohran Mamdani, kryetar i zgjedhur i Nju-Jorkut.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Nju Jorkut, gjatë konferencës për shtyp u zotua të trajtojë atë që e quajti “kriza binjake” të “një administrate autoritare dhe një krize për strehim të përballueshëm”, dhe shtoi se po e “lë derën hapur” për të folur me presidentin pavarësisht se ende nuk ka dëgjuar prej tij urimet për fitoren. Ai dënoi “një ndjenjë që po rritet” në Shtetet e Bashkuara se lejohet të shkelësh ligjin, ndërsa deklaroi se “të gjithë duhet të mbahen përgjegjës”, pavarësisht nëse janë agjentë të luftimit të emigracionit të paligjshëm apo presidenti i Shteteve të Bashkuara. Mamdani prezantoi kabinetin e tij të tranzicionit, të përbërë nga gra, teksa pret që në karriken e kryebashkiakut të ulet zyrtarisht më 1 janar. Gjithashtu adresoi dhe kritikat nëse do të mbrojë komunitetin hebre në qytetin ikonik.

“E marr çështjen e antisemitizmit jashtëzakonisht seriozisht dhe mbrëmë në fjalimin tim fola se si bashkia ime do të qëndrojë e palëkundur me njujorkezët hebrenj në luftën kundër plagës së antisemitizmit në të gjithë qytetin dhe duke e bërë këtë të qartë në veprimet që do të ndërmarrim nga 1 janari.”

Zohran Mamdani, 34 vjeç, bëhet kryebashkiaku i parë mysliman i qytetit të Nju Jorkut dhe personi më i ri në më shumë se një shekull që drejton qytetin më të madh në SHBA-së.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos